Artisti i njohur Yll Limani ishte i ftuar në emisionin “Ndryshe”, me Elona Duron dhe Salsano Rrapin, ndau detaje interesante nga karriera dhe jeta e tij personale.

Gjatë bisedës, këngëtari foli jo vetëm për muzikën dhe albumin e tij më të ri, por edhe për përvojat personale dhe marrëdhëniet, duke u shfaqur i hapur dhe i sinqertë në përgjigjet e tij.

Që në fillim të intervistës, Ylli u ndal te një keqkuptim i shpeshtë që, sipas tij, ndodh kryesisht në Shqipëri: ngatërrimi i emrit të tij artistik. Ai sqaroi se emri i tij është “Yll” dhe jo “Ylli”, siç prezantohet shpesh gabimisht.

“Emrin Ylli nuk ma kanë vendosur kurrë. Unë quhem Yll, vetëm Yll, pa ‘i’. Shpesh herë në Shqipëri më prezantojnë si Ylli Limani. Edhe kur shkoj në evente, shoh të shkruar pas skenës ‘Ylli Limani’ dhe gjithmonë them se është Yll, pa ‘i’”, u shpreh ai.

I pyetur se çfarë mendon se e dallon nga artistët e tjerë, Limani tregoi se nuk i pëlqen të flasë për veten në mënyrë vetëlavdëruese, por pranoi se muzika e tij është lidhur natyrshëm me një gjendje të caktuar emocionale.

“Ndoshta kam qenë gjithmonë pak më specifik. Shumë njerëz e lidhin vjeshtën, shiun dhe të ftohtin me këngët e mia, me albumin tim. Nuk di të flas për veten në kuptimin e mirë të fjalës. Mund të jenë tekstet, mund të jetë ngjyra e zërit, që është meritë e Zotit, jo e imja. Unë vetëm kam ditur ta përdor. Është meritë edhe e prindërve të mi”, tha këngëtari.