Nga telefoni i “vjedhur” te testamenti: 7 provat që fundosin djalin e miliarderit
Një ngjarje tronditëse që ka pezulluar opinionin publik në Spanjë po dominon mediat iberike. Jonathan Andic, djali i miliarderit dhe themeluesit të markës së njohur të veshjeve “Mango”, Isaac Andic, është arrestuar nga autoritetet nën akuzën e rëndë për planifikimin e vdekjes së të atit.
Nonse ka paguar një garanci prej 1 milion eurosh dhe ndodhet përkohësisht në liri me kusht, hetuesit spanjollë dyshojnë fort se nuk bëhet fjalë për një aksident malor — siç u raportua fillimisht pas gjetjes së trupit të 71-vjeçarit në zonën e Montserrat pranë Barcelonës — por për një vrasje të pastër me paramendim.
Sipas të përditshmes prestigjoze “El Pais”, dosja hetimore përmban të paktën shtatë prova kryesore dhe dëshmi kontradiktore që rëndojnë pozitat e Jonathan Andic:
1. Kontradiktat e forta në dëshmi
Fillimisht, djali deklaroi se ndodhej 4-5 metra para të atit gjatë ecjes kur dëgjoi gurët duke rrëshqitur dhe pa trupin e tij të binte mes shkurreve. Më vonë, ai ndryshoi versionin, duke pretenduar se e kishte parë babanë të përdorte telefonin vetëm në fillim të shëtitjes.
2. Analiza e celularit të viktimës
Ekspertiza e telefonit të Isaac Andic hodhi poshtë alibinë e djalit. Ndryshe nga sa pretendohej, manjati i modës kishte bërë vetëm një video dhe një foto në nisje të ecjes dhe nuk e kishte përdorur më pajisjen. Hetuesit theksojnë se për shkak të fushëpamjes së mirë në zonë, është pothuajse e pamundur që djali të mos e ketë parë momentin e rënies.
3. Vizitat sekrete para ngjarjes
Një element kyç i planifikimit është zbulimi se Jonathan Andic kishte vizituar zonën malore të Montserrat plot tri herë gjatë javës para tragjedisë (më 7, 8 dhe 10 dhjetor). Policia dyshon se këto vizita kanë shërbyer për të studiuar terrenin dhe vendin ku do të kryhej krimi.
4. Gjurmët e pazakonta në vendngjarje
Ekspertiza teknike në vendin e rënies zbuloi shenja të dyshimta rrëshqitjeje në tokë. Raporti zyrtar flet për lëvizje të përsëritura “para-mbrapa”, të cilat sipas ekspertëve nuk kanë ndodhur rastësisht, por janë krijuar me qëllim nga një forcë njerëzore.
5. Zhdukja misterioze e iPhone-it në Ekuador
Disa muaj pas vdekjes së të atit, ekzaktësisht kur drejtësia nisi të rihapte çështjen, Jonathan ndërroi telefonin e tij, fshiu të gjitha të dhënat nga pajisja e vjetër dhe më pas deklaroi se ia kishin “vjedhur” gjatë një udhëtimi të shkurtër në Quito të Ekuadorit. Për hetuesit, ky veprim është një përpjekje e pastër për të asgjësuar provat celulare.
Motivimi: Lufta për paratë dhe ndryshimi i testamentit
Përtej provave fizike, autoritetet kanë zbardhur edhe motivin e mundshëm të krimit, i cili lidhet me pasurinë përrallore të themeluesit të “Mango”.
Mesazhet në WhatsApp: Nga këqyrja e bisedave të gjetura, rezulton se Isaac Andic ishte i shqetësuar dhe i stresuar nga varësia e djalit të tij ndaj parave dhe dëshira e shfrenuar për trashëgiminë.
Plani për bamirësi: Pika e kthesës dyshohet se ka qenë vendimi i biznesmenit 71-vjeçar për të ndryshuar testamentin e tij me qëllim kalimin e një pjese të madhe të pasurisë në një fondacion bamirësie, lëvizje kjo që ka sjellë përplasje të ashpra familjare.
Vendimi i Gjykatës: Sipas gjykatësit të çështjes, tashmë ekzistojnë prova të mjaftueshme dhe të bazuara që sugjerojnë një “përfshirje aktive dhe të paramenduar” të Jonathan Andic në eliminimin fizik të babait të tij. Hetimet vazhdojnë ndërsa procesi gjyqësor pritet të jetë një nga më të ndjekurit në Spanjë.






