Një tërmet ka goditur zonën pranë Napolit në Itali, duke shkaktuar panik te banorët dhe aktivizim të strukturave të emergjencës.

Lëkundja kryesore, me magnitudë 4.4 të shkallës Rihter, është regjistruar rreth orës 05:50 të mëngjesit në zonën e njohur si Fushat Phlegraean, një rajon vullkanik që ndodhet në periferi të Napolit. Pas saj, janë ndjerë edhe tre lëkundje të tjera më të lehta.

Sipas të dhënave paraprake nga autoritetet italiane, nuk raportohet për persona të lënduar dhe as për dëme të mëdha materiale. Megjithatë, situata ka shkaktuar shqetësim te qytetarët, duke detyruar institucionet të marrin masa parandaluese.

Si pjesë e këtyre masave, është vendosur që shkollat të qëndrojnë të mbyllura gjatë ditës së sotme në zonën e Fushave Phlegraean, si dhe në lagjet Bagnoli dhe Fuorigrotta të Napolit, deri në një vlerësim të plotë të situatës.