Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me çështjen e Belinda Ballukut gjatë një interviste për median estoneze Postimees, duke theksuar se vendimi për të mos i hequr imunitetin ka qenë i drejtë dhe i argumentuar ligjërisht.

Ai sqaroi se organi i akuzës nuk e ka ngritur çështjen si korrupsion, por si keqmenaxhim të procedurave të prokurimeve publike, një vepër që sipas tij nuk mund të trajtohet në të njëjtin nivel me korrupsionin.

Sipas Ramës, kufizimi i lirisë së një individi nuk mund të mbështetet mbi dyshime, sidomos kur bëhet fjalë për një vepër që nuk klasifikohet si korrupsion.

“Pretendimet janë të pasakta, por kështu funksionon sot informacioni publik. Sepse, së pari, nuk është rast korrupsioni. Prokurori nuk e akuzon atë për korrupsion. Pra nuk ka akuzë për korrupsion. Bëhet fjalë për keqmenaxhim të prokurimeve publike, që sipas Kodit Penal është shumë larg korrupsionit.

Së dyti, në Shqipëri nuk kemi imunitet ndaj hetimit. Pra, kushdo mund të hetohet. Edhe unë vetë mund të hetohem nga prokurori pa e ditur fare. E vetmja gjë që bën parlamenti është të thotë “po” ose “jo” për kufizimin e lirisë së dikujt. Ne nuk menduam, dhe vazhdoj të mos mendoj, se kjo duhej bërë. Jam gjithnjë e më i bindur se bëmë gjënë e duhur kur thamë: vazhdoni hetimin, por nuk mund t’ia kufizoni lirinë dikujt vetëm mbi bazën e dyshimeve për diçka që nuk është korrupsion”, u shpreh Rama.

Në të njëjtën intervistë, kreu i qeverisë foli edhe për procesin e integrimit europian, duke komentuar idenë e tij që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian pa të drejtë vetoje. Ai theksoi se kjo nuk është një deklaratë e bërë thjesht për të përshpejtuar anëtarësimin, por një bindje për nevojën e reformimit të vetë BE-së.

Rama argumentoi se sistemi aktual, ku çdo shtet anëtar ka të drejtë vetoje, e bën vendimmarrjen të ngadaltë dhe joefikase, sidomos në një union që mund të zgjerohet më tej në të ardhmen.

“Çështja nuk është shpërblimi, por Europa. Dhe nuk e thashë këtë vetëm për të hyrë në BE, por sepse besoj në një Europë më praktike dhe më funksionale. Nuk ka kuptim që Europa të varet tashmë nga 27 veto, dhe imagjinoni 29, 33 apo edhe 35 veto.

Prandaj kjo është diçka që duhet trajtuar thellësisht, bashkë me shumë çështje të tjera, sepse folëm më parë për atë që e pengon Europën të ketë një ritëm dhe forcë ndryshe.

Dhe për sa na përket neve, unë besoj se kjo do të ndihmojë gjithashtu në zbutjen e tensioneve që me siguri do të shfaqen në vende të ndryshme kur të vijë momenti i marrjes së vendimeve”, deklaroi ai.

Duke folur për rolin e Bashkimit Europian në arenën ndërkombëtare, Rama vuri në dukje se Europa ka bërë gabim duke ia lënë Shteteve të Bashkuara barrën kryesore të komunikimit me Rusinë. Sipas tij, BE duhet të marrë një rol më aktiv dhe të drejtpërdrejtë në dialogun me Moskën.

Ai nënvizoi se, pavarësisht mbështetjes për Ukrainën në konfliktin me Rusinë, një moment për dialog është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm.

Sipas Ramës, Bashkimi Europian duhet të ruajë peshën e tij si aktor global dhe të mos e delegojë rolin e vet në marrëdhëniet ndërkombëtare tek aktorë të tjerë.