Pasi Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë arritur një dakordësi për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, deputeti socialist Erion Braçe ka dalë publikisht kundër këtij vendimi, duke u distancuar nga qëndrimi i forcës së tij politike.
Braçe bëri të qartë se nuk do ta mbështesë rregulloren e re, pasi sipas tij ajo cenon drejtpërdrejt rolin kontrollues të deputetit dhe përqendron kompetenca që Kushtetuta ua njeh të gjithë deputetëve në një strukturë të vetme.
“Detyra ime është të bëj deputetin. Rregullorja e re përqendron disa instrumente në duart e një komisioni, të cilat janë instrumente kushtetuese të kontrollit parlamentar që i ka çdo deputet i Kuvendit, jo një komision i vetëm.
Nuk më erdhi mirë për disa ndryshime që janë bërë në rregullore. Çështjet që kanë të bëjnë me funksionimin e tregut, praktikisht, rregullorja mua më mohon një të drejtë të tillë.
I jep 15 ditë kohë institucionit që të më kthejë përgjigje. Ka institucione ku informacioni që unë kërkoj merret vetëm me një ‘enter’. Institucionet kanë detyrimin të kthejnë përgjigje ndaj një deputeti që kërkon informacion”, tha ai.
Më tej, deputeti socialist theksoi se nëse ndryshimet do të hidhen sot për votim në Kuvend, ai nuk do t’i mbështesë.
“Përqendrimi i instrumenteve të kontrollit parlamentar në një komision, natyrisht, nuk është një gjë e mirë. Do të votoja kundër kësaj rregulloreje”, deklaroi Braçe.






