Bordi i Transparencës ka vendosur sërish ndryshimin e çmimeve të karburanteve në vend, duke përcaktuar kufij të rinj për naftën dhe benzinën.
Sipas njoftimit zyrtar, në mbledhjen e zhvilluar më 21 maj 2026, u vendos që çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 të jetë 197 lekë për litër, ndërsa në shumicë 185 lekë për litër.
Për benzinën, çmimi tavan në pakicë është caktuar 186 lekë për litër, ndërsa në shumicë 174 lekë për litër.
Vendimi ka hyrë në fuqi në të njëjtën ditë, më 21 maj, në orën 13:00 dhe do të mbetet në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të reflektohen luhatjet e reja të tregut.
Autoritetet u kanë bërë thirrje të gjithë operatorëve që ushtrojnë aktivitet në tregtimin e karburanteve, si me shumicë ashtu edhe me pakicë, të zbatojnë detyrimisht këto çmime. Në rast të shkeljeve, paralajmërohet pezullim i aktivitetit për subjektet që nuk respektojnë vendimin.
Në njoftim theksohet gjithashtu se institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë të angazhuara për mbrojtjen e interesit të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
Në një sqarim shtesë, bëhet e ditur se çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, i cili parashikon ulje të akcizës nëse çmimet kalojnë 220 lekë/litër për gazoilin dhe 200 lekë/litër për benzinën. Për rrjedhojë, në kushtet aktuale, akciza do të vijojë të aplikohet në nivel të plotë, 100%.






