Drejtori i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, është paraqitur këtë të enjte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Sipas informacioneve të konfirmuara nga gazetarja Anila Hoxha, Verdho ka qëndruar për një periudhë të shkurtër në institucionin e akuzës, përpara se të largohej pa dhënë asnjë deklaratë për mediat që e prisnin jashtë.
Prania e tij në SPAK ka ngjallur interes, por deri në këto momente nuk ka një sqarim zyrtar mbi arsyet e kësaj paraqitjeje. Nuk dihet nëse drejtori i Hekurudhës Shqiptare është thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni, dëshmitarit apo për një çështje tjetër në verifikim.
Burime pranë organit të akuzës nuk kanë dhënë detaje shtesë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse në vijim do të ketë një reagim zyrtar apo zhvillime të tjera lidhur me këtë rast.






