Çmimet e apartamenteve në Shqipëri rriten 8 herë më shumë se në BE, pa transparencë, pa kontrolle, pa drejtim.
Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri vazhdon të ecë me ritme që nuk i justifikon as ekonomia, as kërkesa reale, as ecuria e çmimeve në rajon apo Europë. Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, çmimet e apartamenteve në Shqipëri u rritën me 14.6% krahasuar me periudhën paraardhëse dhe me 41.7% nga një vit më parë, sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë.
Për krahasim, në të njëjtën periudhë, çmimet e banesave në vendet e eurozonës u rritën me 5.1%, ndërsa në BE me 5.4%, sipas Eurostat. Kjo e vendos Shqipërinë në një nivel 8 herë më të lartë rritjeje, një anomali që kërkon shpjegim urgjent nga autoritetet.
Ndryshe nga sa ndodh në vendet e BE-së, ku ndryshimet pasqyrojnë tendencat ekonomike, ciklet e ndërtimit dhe politikat monetare, në Shqipëri rritja duket e shkëputur nga realiteti i tregut dhe fuqia blerëse e popullatës. Shumë ekspertë dyshojnë se ky është rezultat i një tregu të pakontrolluar, i mbushur me para informale, investime spekulative dhe mungesë transparence në lejet e ndërtimit dhe financimin e projekteve.
Treguesit socialë dhe ekonomikë e thellojnë më tej paradoksin: paga mesatare nuk pëson rritje të krahasueshme, strehimi mbetet i paarritshëm për shtresat e mesme, ndërsa një pjesë e madhe e ndërtimeve rezultojnë bosh. Pra, pyetja shtrohet: Për kë po ndërtohet? Dhe me çfarë parash po blihet?
Të dhënat e Eurostat theksojnë se asnjë vend i BE-së nuk ka parë një rritje të çmimeve të krahasueshme me Shqipërinë. Vetëm një shtet ka shënuar ulje vjetore, ndërsa 25 të tjerë kanë parë rritje të moderuar.
Në një treg të ndërtimit që funksionon pa balanca dhe pa përgjegjësi publike, me çmime që s’përputhen me të ardhurat dhe me një qeveri që nuk ndërhyn për të vendosur rregull, Shqipëria po rrezikon të shndërrohet në një shtet me qytete të pabanueshme për shumicën e qytetarëve të saj.






