Gazetari Elton Tozaj ka kallëzuar në polici një ngjarje të rëndë kërcënimi, pasi ka gjetur një bidon me benzinë pranë derës së banesës së tij, si edhe një sasi lënde djegëse të shpërndarë në tokë.
Sipas deklarimeve të bëra në komisariat, Tozaj dyshon se vendosja e lëndës djegëse është një akt intimidimi, i lidhur drejtpërdrejt me denoncimet publike që ai ka bërë së fundmi, ku ka përmendur me emra persona të dyshuar për veprimtari të paligjshme.
Ngjarja është konstatuar në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjte, rreth orës 04:30, në një pallat që ndodhet në rrugën “Haxhi Deliu” në Tiranë. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për dokumentimin e rastit.
Autoritetet po punojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe verifikimin e pretendimeve të gazetarit, ndërsa rasti po trajtohet si kërcënim serioz ndaj një përfaqësuesi të medias.






