Nga 1 janari 2026 do të hyjnë në fuqi çmimet e reja të referencës për apartamentet në rrethe, duke sjellë rritje të konsiderueshme të detyrimeve tatimore për qytetarët. Numri i zonave kadastrale është zgjeruar nga 65 në gjithsej 119 zona, çka nënkupton një ndarje më të detajuar dhe, në shumë raste, çmime më të larta reference për pasuritë e paluajtshme.

Kjo rritje e çmimeve të referencës pritet të ndikojë drejtpërdrejt në taksën e ndërtesës, si për banesat, ashtu edhe për ambientet tregtare, pasi baza e taksimit llogaritet pikërisht mbi këto çmime.

Sipas përllogaritjeve të Monitor, ndikimi në detyrimet tatimore për 119 zonat e reja do të jetë i ndjeshëm.

Durrësi: Rritja më e madhe, deri në 196%

Ndryshimet më të mëdha në çmimet e referencës janë propozuar për qarkun e Durrësit, konkretisht për zonën kadastrale nr. 13, e cila përfshin zonën e Portit të Durrësit, ku po zhvillohet projekti Durrës Yacht Marina.

Aktualisht, çmimi i referencës për shitblerjen e apartamenteve në këtë zonë është 67,500 lekë/m², ndërsa është propozuar të shkojë në 200,000 lekë/m², që përfaqëson një rritje prej 196%.

Kjo do të thotë se një qytetar që zotëron një apartament me sipërfaqe 60 m², aktualisht paguan 2,025 lekë në vit (apo 168 lekë në muaj) për taksën e ndërtesës, përmes faturës së ujit të pijshëm. Nga janari 2026, kjo shumë do të rritet në 6,000 lekë në vit, ose 500 lekë në muaj.

Po kështu, për një biznes me një dyqan prej 90 m², detyrimi vjetor do të rritet nga 12,150 lekë në 36,000 lekë.

Kamza: Rritje me 44%

Në bashkinë e Kamzës, çmimi i referencës është propozuar të rritet nga 52,000 lekë/m² (në 2019) në 72,000 lekë/m², një rritje prej 44%.

Kjo do të thotë se një familje me një apartament 60 m², nga 1,560 lekë në vit që paguan aktualisht, do të paguajë 2,250 lekë në vit (187 lekë në muaj) nga janari 2026.

Për bizneset me ambiente 90 m², detyrimi do të shkojë nga 9,360 lekë në 13,500 lekë në vit.

Vlora: Çmime deri në 200 mijë lekë/m²

Në bashkinë e Vlorës, nga çmimi aktual i referencës prej 61,800 lekë/m², me propozimet e reja parashikohet ndarja e qytetit në 7 zona kadastrale, me çmime që variojnë nga 45,000 lekë deri në 140,000 lekë/m². Për Ishullin e Sazanit, është propozuar një çmim reference prej 200,000 lekë/m².

Rritja mesatare e çmimeve të referencës për Vlorën arrin deri në 58.6%, krahasuar me çmimet e miratuara në vitin 2019.

Për një familje që zotëron një apartament me sipërfaqe 60 m² në zonën nr. 1 të qytetit, taksa e ndërtesës do të rritet nga 154 lekë/muaj në 245 lekë/muaj, ose nga 1,848 lekë në vit në 2,940 lekë në vit.

Për bizneset, detyrimi do të rritet nga 11,124 lekë në vit në 17,640 lekë, një rritje rreth 59%.

Taksa të reja dhe vlerësim i ri i pasurive nga 2026

Krahas rritjes së çmimeve të referencës, nga 1 janari 2026 pritet të nisë zbatimi i ligjit të ri për vlerësimin e pasurive të paluajtshme, me tatim të reduktuar nga 15% në 5%.

Po ashtu, nga i njëjti vit ishte planifikuar të hynte në fuqi taksa e re mbi pasuritë e paluajtshme. Megjithatë, Ministria e Financave është duke hartuar një projektligj tërësisht të ri, i cili pritet të miratohet gjatë vitit të ardhshëm.

Zbatimi i kësaj takse të re është shtyrë për në vitin 2028, ndërsa periudha 2026-2027 do të përdoret për përgatitjen e akteve nënligjore dhe udhëzimeve teknike për zbatimin në terren.