Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar më në fund pas kërkesës së Prokurorisë Speciale në Hagë për gjithsej 180 vite burg për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga 45 vite për secilin.
Pas një heshtjeje që u komentua gjerësisht në opinionin publik, reagimi i Kurtit erdhi me një deklaratë të gjatë ku ai mbrojti fort luftën e UÇK-së dhe kundërshtoi qasjen e Prokurorisë Speciale.
Në reagimin e tij, Kurti theksoi se lufta e UÇK-së ishte një luftë e drejtë për mbijetesë dhe dinjitet, duke kritikuar përpjekjet për ta trajtuar atë jashtë kontekstit historik dhe politik të kohës.
“Thelbi moral dhe historik i luftës sonë çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit. UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse”, deklaroi Kurti, duke theksuar se ajo u zhvillua në kushte okupimi dhe dhune shtetërore.
Kryeministri paralajmëroi se çdo tentativë për të analizuar veprimet individuale të drejtuesve të UÇK-së jashtë këtij konteksti rrezikon deformimin e së vërtetës historike.
“Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte”, u shpreh ai.
Duke iu referuar drejtpërdrejt kërkesës së Prokurorisë Speciale në Hagë, Kurti deklaroi se UÇK-ja nuk ka pasur kurrë qëllim shfarosjeje ndaj civilëve apo popujve të tjerë dhe se dënimet e kërkuara nuk mbështeten, sipas tij, në standarde të pranuara ndërkombëtare.
“Ne nuk kemi pasur kurrë plan shfarosje të asnjë populli tjetër apo të civilëve. Kërkesa për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit”, theksoi Kurti.
Sipas tij, kjo kërkesë injoron realitetin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta trajtojë çështjen në një “vakuum juridik”, duke e shkëputur nga konteksti i një lufte çlirimtare.
Në përfundim, Kurti ritheksoi se institucionet e Kosovës do të vijojnë të mbrojnë luftën e UÇK-së dhe vlerat mbi të cilat u ndërtua shteti.






