Një Goditje Ndaj Autonomisë Universitare dhe një Precedent i Rrezikshëm

Vendimi i fundit i Rektorit të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, për të pezulluar nga detyra Dekanen e Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha, përbën një precedent të rrezikshëm që cenon rëndë parimet bazë të autonomisë universitare dhe demokracisë akademike. Universiteti nuk është dhe nuk mund të trajtohet si një pronë private apo feud personal i Rektorit.

Të dy drejtuesit e lartë e rregullojnë legjitimitetin e tyre mbi të njëjtën bazë: votën e lirë dhe besimin e pedagogëve dhe studentëve. Rektori nuk e ka emëruar Dekanen, prandaj as nuk mund ta shkarkojë apo pezullojë atë sipas vullnetit personal apo humorit institucional.

Shkelje Ligjore dhe Arbitraritet

Ky pezullim shfaqet haptazi si një akt arbitrar dhe i pambështetur në kuadrin ligjor në fuqi. Sipas rregulloreve të arsimit të lartë, pezullimi i një figure të zgjedhur si Dekani mund të ndodhë vetëm në kushte ekstreme, siç janë:

 Procedimi penal i hapur.

 Arrestimi nga organet e drejtësisë.

Edhe nëse do të gjendeshim përpara një situate emergjente, ligji e përcakton qartë zëvendësimin: funksionin e merr automatikisht Zëvendësdekani. Vendimi për të sjellë figura jashtë strukturës aktive, apo individë në moshë pensioni për të luajtur rolin e një “dekani part-time”, jo vetëm që është fyes për stafin ekzistues të fakultetit, por është edhe një akrobatikë administrative e paligjshme.

Hakmarrje Ndaj Figurave të Pakontrollueshme?

Timing-u i këtij vendimi ngre dyshime të forta mbi motivet e vërteta. Kjo lëvizje vjen fill pas shpalljes së kandidaturës së Dorina Hoxhës për anëtare të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ).

Mesazhi që përcillet është i qartë: Çdo tentativë për rritje profesionale apo angazhim në nivele të larta jashtë sferës së kontrollit të Rektorit, ndëshkohet.

Ky veprim mban erë inatçore dhe hakmarrjeje politiko-administrative, duke synuar të mbajë nën presion institucionin dhe të tregojë se kushdo që guxon të shfaqë pavarësi, do të përballet me pasoja. Universiteti duhet të jetë vatra e mendimit të lirë dhe e ligjshmërisë, jo një terren ku aplikohen goditje të tilla autoritare.