Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka vendosur në qendër të investigimeve një skemë komplekse të kapjes së shtetit, ku dosja e AKSHI-t (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit) dhe ajo e ASHK-së (Agjencia Shtetërore e Kadastrës) nuk përfaqësojnë më dy histori të ndara. Në fakt, ato janë dy anët e të njëjtës medalje: një grup i vetëm kriminal, i lidhur me emrin e Ergys Agasit, i cili ka vënë nën kontroll tenderat e teknologjisë dhe pronat publike e private në Shqipëri.
Në këtë vorbull hetimesh, nën lupën e fortë të SPAK-ut ka përfunduar edhe Lorena Goxhobelli, e cilësuar si “ustallesha” e Kadastrës. Ajo po hetohet brenda të njëjtës dosje me grupin Agasi, jo thjesht si një zyrtare e pakujdesshme, por si një nyje kyçe e mekanizmit që mundësonte pastrimin e parave të vjedhura nga kontratat publike përmes tjetërsimit të pronave.
Raporti i SPAK 2025: Kadastra e Kapur nga Krimi i Organizuar
Dokumentet zyrtare konfirmojnë përmasat e këtij infiltrimi. Raporti Vjetor i Prokurorisë së Posaçme për vitin 2025 e thotë hapur: Agjencia Shtetërore e Kadastrës është kapur nga krimi i organizuar. Grupet kriminale kanë arritur të pozicionojnë njerëzit e tyre në poste kyçe për të lehtësuar pastrimin e parave përmes sektorit të ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.
Bilanci i vitit 2025 flet vetë:
11 milionë euro pasuri të paluajtshme të sekuestruara në zona strategjike si Vlora dhe Gjiri i Lalzit.
16 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të Kadastrës nën hetim pasuror.
Skema të mirëfillta tjetërsimi përmes dokumenteve të falsifikuara, të cilat nuk mund të prodhoheshin pa bashkëpunimin e drejtpërdrejtë të strukturave drejtuese të ASHK-së.
Hetimet e SPAK-ut dëshmojnë se kur nisi verifikimi për tenderat e teknologjisë të grupit Agasi në AKSHI, u zbulua se paratë e vjedhura rrejshëm nga buxheti i shtetit kishin nevojë për një “lavatriçe”. Kjo lavatriçe ishte Kadastra. Lorena Goxhobelli funksionoi si porta e kalimit të këtyre pronave, duke krijuar një operacion me dy sportele: në AKSHI manipuloheshin tenderat, në ASHK legalizoheshin dhe fshiheshin fitimet. Çdo anëtar i grupit Agasi gëzonte akses të pakufizuar në institucionin e drejtuar prej saj.
Konflikti i Interesit dhe “Revolucioni” i Rremë Dixhital
Rruga e Goxhobellit drejt kreut të Kadastrës kaloi direkt nga pozicioni i Drejtoreshës së Divizionit Ligjor në Korporatën Shqiptare të Investimeve (KISH), e drejtuar nga Elira Kokona. Gjatë kohës së saj te KISH, Goxhobelli ka hartuar opinionet ligjore pikërisht për pronat që sot, në rolin e rregullatores së ASHK-së, i kalon nga njëra dorë në tjetrën. Ky nuk është një detaj administrativ, por një konflikt i pastër interesi me të njëjtën firmë në të dy anët e tavolinës.
Për t’u mbrojtur nga akuzat, në fund të vitit të kaluar Goxhobelli deklaroi publikisht se 79% e aplikimeve trajtoheshin brenda afateve ligjore falë “revolucionit dixhital”. Mirëpo, shifrat zyrtare të institucioneve të pavarura e rrëzojnë plotësisht këtë narrativë:
Shifrat e Raportit të Avokatit të Popullit (Maj 2026)
27,023 vendime gjykate dhe të Agjencisë së Trajtimit të Pronës (ATP) mbeten të paregjistruara në sirtarët e Kadastrës.
11% e të gjitha ankesave në shkallë vendi në Shqipëri lidhen drejtpërdrejt me çështjet e pronësisë.
0% është shkalla e zbatimitt të rekomandimeve nga ASHK; asnjë rekomandim i vetëm nuk është marrë parasysh.
Gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH)
KLSH auditoi shtatë drejtori vendore kritike (Tirana Jug, Tirana Veri, Tirana Rurale I, Tirana Rurale II, Kamëz-Vorë, Shkodër dhe Durrës). Asnjëra prej tyre nuk ktheu përgjigje brenda afatit ligjor 20-ditor. Nga 359 masa të rekomanduara (të pranuara formalisht në letër), shkalla e zbatimit real tregon një injorim total të shtetit ligjor
Përveç refuzimit të masave, KLSH ka konstatuar raste të rënda të tjetërsimit të pronave në bregdet me firma të rreme.
Kontrolli i Sistemeve dhe Pika Teknike e Takimit
Përtej fasadës së përdorimit të teknologjisë blockchain dhe pretendimeve të Goxhobellit se 10-15% e shërbimeve kryhen automatikisht, SPAK dyshon për një skenar shumë më të errët. Grupi i strukturuar kriminal, ku bëjnë pjesë Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, dyshohet se zotëronte akses të plotë mbi të dhënat sensitive, transaksionet brenda dhe jashtë vendit për shtetasit shqiptarë e të huaj, kompanitë dhe Personat e Ekspozuar Politikisht (PEP).
Më e rënda, sipas SPAK, ky grup kontrollonte tenderat e administrimit të dosjeve gjyqësore, caktimin e gjyqtarëve dhe ecurinë e seancave, krahas atyre të thesarit. Këtu dosja AKSHI takohet teknikisht me ASHK-në. Në kohën kur Kadastra ka hyrë në procesin e digjitalizimit të plotë të arkivës (me afat fundin e vitit 2026, duke përfshirë 33,000 planshete dhe miliona dokumente), lindin pyetjet kritike:
1 Kush e ka fituar kontratën e digjitalizimit të arkivës së ASHK-së?
2 A është kjo kompani e lidhur me rrjetin e Agasit?
3 Cili ka qenë roli real i AKSHI-t në infrastrukturën IT të Kadastrës gjatë periudhës 2024–2026?
rasti “Equos Resort” në Petrelë: Zyra e Kadastrës Zhvendoset në Resort
Monumeti më i qartë i këtij bashkëpunimi kriminal është Equos Resort në Petrelë, i cili përfaqëson bllokun më të madh të regjistrimeve kadastrale në emër të Agasit. Sipas inventarit zyrtar të sekuestrove të SPAK-ut, vetëm në këtë zonë janë bllokuar 7 pasuri të llojit “pyll” me ndërtesa 1 dhe 2 katëshe virgjile mbi to. Vlera totale e kompleksit llogaritet në 11.5 milionë euro (9 milionë euro blerje dhe 2.5 milionë euro kredi).
Edhe pse blerja fillestare ka ndodhur në vitin 2023, proceset më të rëndësishme – legalizimi dhe regjistrimi kadastral i ndërtimeve të reja brenda kompleksit – u kryen në kohë rekord pikërisht nën drejtimin e Lorena Goxhobellit. Përmes ndërhyrjeve të drejtpërdrejta, u regjistruan sipërfaqe artificialisht të fryra:
5,000 m² te zona e biletarisë.
6,000 m² te dhomat e zhveshjes dhe tualetet.
Tjetërsimi i dhjetëra hektarëve pyll rreth kompleksit, duke i kaluar në pronësi private të Agasit përmes dokumenteve të falsifikuara.
Hetimet kanë zbuluar se zyrtarë të lartë të Kadastrës, duke përfshirë vetë drejtoreshën, janë identifikuar duke frekuentuar këtë resort gjatë viteve 2024–2025 jo për pushime, por për të nënshkruar dokumente zyrtare transferimi. Brenda këtij kompleksi, ku në media ekspozoheshin shpenzimet marramendëse dhe verërat e shtrenjta të paguara me paratë e korrupsionit, zhvilloheshin takimet sekrete mes drejtuesve të Hipotekës dhe AKSHI-t.
Trashëgimia e “Dallëndyshes” dhe Zvarritja e Qytetarëve
Kjo skemë nuk lindi brenda natës. Praktikat e fshirjes së pronave dhe manipulimit të sistemit u konsoliduan që në kohën e drejtimit të Dallëndyshe Bicit, e cilësuar si partnerja operacionale e Agasit në institucion. Grupi funksiononte si një makineri e mirëfilltë: zhduknin pronat e qytetarëve nga sistemi ose ngrinin qëllimisht procedurat që dokumentet të kalonin në duart e sekserëve të tyre.
Strategjia e Mashtrimit Publik: Ndërsa në media trumpetohej me të madhe se “nuk do të ketë më korrupsion” dhe se praktikat do të procesoheshin nga rrethet për të shmangur ndikimet lokale, në prapaskenë kjo skemë transferimi përdorej si mjet zvarritjeje. Qëllimi ishte vetëm një: t’u jepet kohë sekserëve të falsifikonin pronat e qytetarëve të thjeshtë për t’i kaluar ato në duart e “investitorëve strategjikë”.
Drejtoresha e AKSHI-t tashmë përballet me akuzë formale nga drejtësia. Nga ana tjetër, Lorena Goxhobelli, e cila raportohet se ka refuzuar tri herë dorëheqjen e kërkuar nga kryeministri Rama, vazhdon të qëndrojë jashtë kornizës së masave shtrënguese, ndonëse institucioni që ajo drejton është vendi ku u materializuan dhe u pastruan paratë e tenderave kriminalë. Pa kryqëzimin e plotë të këtyre dy dosjeve, pastrimi i parave të pista do të mbetet i suksesshëm dhe koka institucionale e skemës do t’i shpëtojë përgjegjësisë penale.






