Dalin SMS për Shkëlzen Berishën dhe Bashkim Ulajn
“Black Card”, butikë luksi dhe fibra optike/ Dosja e SPAK zbardh komunikimet mes Monika Kryemadhit dhe Adrian Shatkut, përmenden Bashkim Ulaj dhe Shkëlzen Berisha
Detaje të reja nga dosja hetimore e SPAK kanë nxjerrë në pah komunikime komprometuese mes Monika Kryemadhi dhe biznesmenit shqiptaro-amerikan Adrian Shatku, ku dokumentohen blerje luksoze në San Marino, përdorimi i kartave “American Express Black” dhe ndërhyrje të dyshuara për favore ekonomike në projektet e fibrave optike në Shqipëri.
Sipas dosjes hetimore, më 24 shtator 2014, Kryemadhi i shkruante Shatkut në WhatsApp se ndodhej në San Marino, ndërsa diskutonin edhe për udhëtime familjare dhe rezervime në qendrën elitare “Lanserhof”.
Një ditë më pas, më 25 shtator 2014, sipas SPAK, Monika Kryemadhi tentoi të kryente blerje luksoze në butikët “Ferreti Boutique” dhe “Maccapani”, por karta “Black” nuk po funksiononte, duke sjellë një seri komunikimesh direkte me Adrian Shatkun.
Nga verifikimet bankare të administruara në dosje rezulton se Kryemadhi kreu fillimisht një pagesë prej 3 mijë eurosh me kartën e saj personale në “Ferreti Boutique”, ndërsa më pas u përdor një kartë “American Express Black”, e lidhur sipas hetuesve me Adrian Shatkun, për një tjetër pagesë prej 12 mijë eurosh në butikët luksozë të San Marinos. 
Në komunikimet WhatsApp të siguruara nga SPAK, Kryemadhi ankohej se karta nuk po pranohej, ndërsa Shatku i përgjigjej se kompania e kartës “kishte menduar se ishte vjedhur”. Më pas ai i konfirmonte se karta ishte bërë “reset” dhe mund të përdorej sërish.
Sipas hetuesve, pagesa prej 12 mijë eurosh u realizua me sukses. Kryemadhi i kërkonte Shatkut që karta të mbetej aktive “për çdo rast”, ndërsa ai përgjigjej se ishte absurde që një “Black Card” të bllokohej.
SPAK i kërkoi ndihmë juridike autoriteteve të San Marino për verifikimin e transaksioneve. Përgjigjja zyrtare konfirmon se më 26 shtator 2014, në llogarinë e kompanisë “Maccapani S.R.L” ishte kredituar një pagesë prej 12 mijë eurosh nga POS-i i datës 25 shtator 2014, transaksion që sipas hetuesve përputhet plotësisht me komunikimet WhatsApp mes Kryemadhit dhe Shatkut.
Por pjesa më sensitive e dosjes lidhet me projektet e fibrave optike dhe ndikimin e dyshuar politik në favor të kompanisë “UNIFI Communication INC”.
Teksa diskutonin për problemet me kartën e kreditit në San Marino, Shatku i shkruante paralelisht Kryemadhit për lejet që priste nga ministri Edmond Haxhinasto:

“Mondi duhet të japë akses siç është ATU e Bashkimit… nuk mund të vazhdojë më në këtë mënyrë… është paralizuar tregu dhe pasuria publike për Bashkimin dhe Zenin.”
Sipas SPAK, me “Bashkimin” bëhet fjalë për biznesmenin Bashkim Ulaj, ndërsa “Zeni” i referohet Shkëlzen Berisha.
Në një tjetër komunikim, Shatku i shkruante Kryemadhit:
“Ka ndonjë të re me kabllin? Investitorët po humbasin besimin. Duhet vepruar tani.”
Ndërsa Kryemadhi i përgjigjej:
“Mi bëj një kërkesë zyrtare Mondit që të japë të drejtë për të vendosur fibër në akset e rrugës.”
Sipas dosjes së SPAK, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi dyshohet se kanë ushtruar ndikim tek ministrat dhe institucionet shtetërore për të favorizuar kompaninë “UNIFI Communication INC” të Adrian Shatkut në projektet e fibrave optike dhe interkoneksionit ndërkombëtar.
Në të njëjtën kohë, hetuesit dyshojnë se Kryemadhi përfitonte udhëtime, rezervime luksoze dhe karta krediti për blerje personale, të cilat SPAK i konsideron si përfitime të lidhura me ndikimin politik të ushtruar në favor të biznesmenit shqiptaro-amerikan.






