Babë e bir mashtrojnë drejtorin e shtetit me “Video-Call” sikur ishin Edi Rama, kërkonin 60 mijë euro
TIRANË – Një skemë e paprecedentë dhe tejet e sofistikuar mashtrimi ka vënë në lëvizje Policinë e Shtetit, duke zbuluar se si teknologjia e Inteligjencës Artificiale (AI) po përdoret tashmë nga grupet kriminale në Shqipëri për të zhvatur zyrtarë të lartë.
Në pranga kanë rënë babë e bir, Kujtim dhe Kledis Muzhaqi, të cilët tentuan t’i zhvatnin plot 60 mijë euro drejtorit të një ndërmarrjeje të madhe shtetërore, duke u hequr si kryeministri Edi Rama përmes një video-telefonate të manipuluar.
“Si jemi me objektivat?” – Si nisi kurthi në Signal
Gjithçka ka nisur në aplikacionin e enkriptuar Signal, ku në telefonin e drejtorit të ndërmarrjes shtetërore ka mbërritur një mesazh nga një numër i panjohur me tekstin: “Si jemi me objektivat?”.
Sapo zyrtari ka hapur mesazhin, në telefonin e tij ka hyrë një video-call (telefonatë me video). Kur është përgjigjur, në ekran i është shfaqur imazhi i kryeministrit Edi Rama, i kompletuar me syzet karakteristike të kuqe që ai mban shpesh në daljet publike. Telefonata ka zgjatur vetëm pak sekonda dhe menjëherë pas mbylljes ka mbërritur mesazhi i radhës:
“Rama jam, më dërgo 60 mijë euro në Elbasan. Komuniko me këtë numër”.
Operacioni “Bllic” në Elbasan dhe arrestimi
Drejtori, i gjendur nën presion por dyshues, nuk ka rënë pre e mashtrimit. Ai ka njoftuar menjëherë Policinë e Shtetit. Sektori Kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës ka organizuar një operacion të mirëfilltë e të shpejtë, duke inskenuar dorëzimin e parave në Elbasan.
Në momentin e takimit të kurdisur nga agjentët, policia ka ndërhyrë duke vënë në pranga babë e bir, Kujtim dhe Kledis Muzhaqi.
Gykata ka caktuar masat e sigurisë për dy të arrestuarit:
Kujtim Muzhaqi (Babai): U la në masën “Arrest me burg”.
Kledis Muzhaqi (Djali, 20 vjeç): U la në masën “Arrest shtëpie”.
Alarmi i AI dhe hije të “Florian Gjergjit” pas skemës
Ekspertët e policisë dyshojnë fort se imazhi i kryeministrit në video-call është krijuar përmes teknologjisë Deepfake (Inteligjencë Artificiale). Kjo shënon një nivel të ri dhe mjaft të rrezikshëm të krimit kibernetik në vend, ku mjaftojnë pak sekonda video e gjeneruar me AI për të manipuluar viktimat.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se hetuesit janë të bindur që babë e bir nuk kanë vepruar të vetëm, pasi nuk zotërojnë kapacitetet teknologjike për skema të tilla. Dyshimet kryesore çojnë te personazhe të njohur të botës së krimit ekonomik në Shqipëri. Skema mban “firmën” e metodave të përdorura më parë nga grupi i Florian Gjergjit, një emër i skeduar shpesh për mashtrime të ngjashme ndaj zyrtarëve dhe biznesmenëve duke përdorur emra personalitetesh publike. Hetimet vijojnë për zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë rrjet.






