Gjykata e Sarandës ka vendosur masat e sigurisë për katër drejtues të Komisariatit të Policisë Sarandë, pas një seance maratonë që zgjati rreth shtatë orë.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjyqtari Shkëlzen Liçaj vendosi masën “arrest me burg” për 30 ditë ndaj Gëzim Bashllarit dhe Robert Cullajt, ndërsa për Ajdin Islamajn dhe Andi Duron u caktua masa “arrest në shtëpi”.
Prokuroria, e përfaqësuar nga prokuroret Silvana Belishta dhe Esmeranda Basho, kishte kërkuar “arrest me burg” për 45 ditë për Bashllarin dhe Cullajn, duke argumentuar se gjatë kësaj periudhe do të paraqiten prova shtesë mbi akuzat ndaj tyre. Për dy drejtuesit e tjerë ishte kërkuar masa “arrest në shtëpi”.
Gjatë seancës, avokatët mbrojtës kundërshtuan kërkesat e Prokurorisë, duke i cilësuar arrestimet të paligjshme dhe të pambështetura në prova të mjaftueshme. Ata kërkuan lirimin e menjëhershëm të katër drejtuesve të policisë.
Edhe vetë drejtuesit e Komisariatit të Policisë Sarandë mohuan akuzat para trupës gjykuese, duke deklaruar se kanë ushtruar detyrën në përputhje me ligjin.
Katër efektivët po hetohen në lidhje me dyshimet për favorizim dhe lejim të ndërtimeve pa leje në qytetin bregdetar të Sarandës.
Kujtojmë se, arrestimi u krye në kuadër të një operacioni që AMP nisi më 15 maj në jug të vendit, pas informacioneve se zyrtarë të policisë vendore janë të përfshirë në lejimin e ndërtimeve pa leje.
Ata akuzohen për: “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal; “Kryerja e veprimeve arbitrare”, parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal; “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, parashikuar nga neni 251 i Kodit Penal; të kryera në bashkëpunim.
Në pranga ranë shefi i Komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari, si dhe tre inspektorë të policisë, Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj. Konkretisht, ata akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën duke toleruar dhe favorizuar ndërtime pa leje në zonat më të kërkuara bregdetare të jugut, kryesisht në Sarandë dhe Ksamil.
Operacioni nisi pas një denoncimi për një ndërtim pa leje në një hapësirë plazhi në lagjen nr.1 të Sarandës. Ky rast çoi në arrestimin e tetë punëtorëve dhe shpalljen në kërkim të pronares Arjola Dhrami Bajo. Pas sinjalizimit, IKMT, IMT dhe Policia Bashkiake ndërhynë për shembjen e objektit.
Vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, referoi rastin pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës, më pas AMP vijoi hetimet për nxjerrjen e përgjegjësive të punonjësve të policisë që nuk kishin vepruar për ndalimin e ndërtimeve të paligjshme.
Gjithashtu, u pezullua edhe shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Sarandës, komisar Blerim Tafçiu, pasi nuk u paraqit për t’u marrë në pyetje nga AMP gjatë hetimeve.






