Skandali shpërthen: Miliona të OSSH shkojnë te njerëzit e Belinda Balluku

Ardit Metaliaj nuk ndalet. Pasi u përfol gjatë për përfitimet në tenderat e rrugëve, tani pronari i “4M” ka futur duart thellë edhe në sektorin energjetik, duke konfirmuar një skemë të pastër kapjeje të fondeve publike nga i njëjti rreth njerëzish pranë pushtetit dhe veçanërisht pranë Belinda Balluku.

Rasti konkret është flagrant. Bëhet fjalë për tenderin e OSSH Korçë për “Loti 3: Zhvillimi i rrjetit TM 20 kV dhe kabinave elektrike në Pogradec”, me një fond limit prej 116,980,553 lekësh. Në letër “procedurë e hapur”, në praktikë një garë qesharake me vetëm dy kompani pjesëmarrëse: “4 A-M shpk” dhe “REJ shpk”.

Fitues? Sërish i njëjti emër: “4 A-M shpk” e Metaliajt, me ofertë 114,608,714 lekë, thuajse identike me fondin limit. Një diferencë minimale që ulëret për mungesë gare reale dhe për një proces të paracaktuar.

Ky nuk është më rastësi. Është model. Një model ku të njëjtët individë që kanë përfituar miliona në asfalt, tani po kalojnë në energji, duke kontrolluar sektorë kyç të ekonomisë. Dhe gjithmonë në sfond del e njëjta hije politike: lidhjet me Belinda Balluku.

Ndërkohë që qytetarët paguajnë faturat gjithnjë e më të kripura dhe infrastruktura energjetike lë për të dëshiruar, miliona lekë nga vetë të ardhurat e OSSH përfundojnë në xhepat e një grushti kompanish të privilegjuara.

Kjo nuk është më vetëm çështje tenderash. Është kapje e pastër e shtetit. Një rreth i mbyllur që ndan paratë publike pa garë, pa transparencë dhe pa asnjë ndëshkim. Dhe pyetja që mbetet është: kush do ta ndalë këtë skemë? SPAK do të vazhdojë të heshtë apo do të reagojë përballë një modeli që tashmë është bërë i dukshëm për këdo?