Një histori që nis me një krim të rëndë dhe përfundon me një kërcënim të ri për jetën brenda qelive: rasti i portugezit Ruben Saraiva ka marrë një kthesë dramatike pas vendimit të drejtësisë shqiptare.

I shpallur fajtor dhe i dënuar me burgim të përjetshëm nga gjyqtari Lirim Bulica për vrasjen në bashkëpunim të Ardian Nikulaj, Saraiva tashmë ndodhet në një situatë edhe më të rrezikshme: burime operative sugjerojnë se ndaj tij është vendosur një shpërblim prej 500 mijë eurosh për eliminim brenda burgut.

Dyshohet se ky urdhër vjen nga persona që e kanë rekrutuar më parë si vrasës me pagesë, të cilët synojnë të shmangin çdo mundësi që ai të bashkëpunojë me drejtësinë shqiptare dhe të zbulojë zinxhirin e porositësve dhe financuesve të krimit, që mendohet se lidhen me rrjete jashtë vendit, përfshirë edhe në Britani.

31-vjeçari, i rritur në Londër, u paraqit në Gjykatën e Lezhës nën masa të jashtëzakonshme sigurie. Ai u shoqërua nga një njësi e armatosur e operacionales së burgjeve, ndërsa rreth perimetrit të gjykatës u vendosën dhjetëra efektivë të policisë kriminale dhe forcave speciale.

Brenda sallës së gjyqit, prania e forcave të sigurisë ishte po aq e lartë: disa efektivë të armatosur qëndruan në gatishmëri, ndërsa Saraiva u mbajt në zonën e sigurisë nën mbikëqyrje të vazhdueshme. Në anën tjetër, në sallë ishte e pranishme edhe bashkëshortja e viktimës, Rudina Nikulaj, së bashku me të afërm dhe miq.

Masat e forta të sigurisë lidhen drejtpërdrejt me informacionet e mbërritura në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, sipas të cilave ekziston një plan konkret për eliminimin e tij. Për këtë arsye, Saraiva mbahet aktualisht në një regjim të rreptë izolimi në paraburgimin 302 në Tiranë.

Ndërkohë, edhe autoritetet portugeze kanë ndjekur nga afër zhvillimet. Përfaqësues diplomatikë kanë qenë të pranishëm në procesin gjyqësor dhe kanë konfirmuar se po shqyrtojnë të gjitha mundësitë ligjore në lidhje me rastin, megjithëse mes Shqipërisë dhe Portugalisë mungojnë marrëveshjet formale për ekstradim apo transferim të të dënuarve.

Ngjarja nxjerr në pah jo vetëm dimensionin e krimit të organizuar ndërkombëtar, por edhe rrezikun real që përbën heshtja e atyre që dinë më shumë se ç’duhet për skemat kriminale.