Ministrja Diella, në bashkëpunim me Bashkinë e Kukësit, organizoi një ceremoni simbolike për të nderuar ariun e famshëm që për 24 orë arriti të zhvendosë vëmendjen publike nga skandalet dhe vjedhjet galopante politike drejt faunës së egër.
Ngjarja u organizua pas publikimit të një fotografie virale, ku shfaqej arushja me këlyshët e saj në një zonë rurale të Kukësit. Fotoja ndezi menjëherë një debat të gjallë kombëtar mbi pyetjen: “A është reale apo e modifikuar?”. Debati u përshkallëzua aq shumë, sa Shqipëria për një ditë të tërë harroi gjithçka tjetër.
“Ky ari ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në jetën mediatike të vendit,” thanë burime nga Bashkia e Kukësit. “Falë tij, lajmet për vjedhjet dhe abuzimet me paratë e qytetarëve u harruan krejt.”
Në ceremoninë simbolike, ariu u pajis me medaljen “Për Shërbime të Veçanta në Zhvendosjen e Axhendës Publike”, duke u vlerësuar për aftësinë e rrallë për të konkurruar me politikën shqiptare në klikime, komente dhe teori konspirative.






