Pasi duket se ka zgjidhur me sukses çdo problem të qytetarëve që përfaqëson, deputetja socialiste Zegjine Çaushi ka vendosur të zgjerojë horizontin profesional, këtë herë në një fushë krejt të re, teknologjinë dhe robotikën.
Nga karrigia e Kuvendit, në laboratorët e së ardhmes, deputetja e qarkut Fier shfaqet në një postim në rrjetet sociale pranë një roboti inteligjent, duke dhënë sinjale se tashmë është gati të kontribuojë edhe në zhvillimet shkencore.
“E ardhmja është këtu”, shkruan ajo në përshkrimin e fotos, duke lënë të kuptohet se përveç politikës, tashmë ka nisur edhe “testimin” e teknologjisë së avancuar.
Ndërkohë, për qytetarët që ende presin zgjidhje për problemet e përditshme, duket se radha do të vijë… sapo të përfundojnë eksperimentet me robotët.
Postimi ka ngjallur reagime të shumta në rrjet, ku nuk kanë munguar komentet ironike për këtë “transformim” të papritur nga politikane në një lloj shkencëtareje të improvizuar.







