Ursula von der Leyen nuk do të marrë pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes, i planifikuar të zhvillohet më 19 shkurt në Uashington. Përmes zëdhënësit të saj, Anouar El Anouni, Komisioni Evropian bëri të ditur se Brukseli ka ende paqartësi mbi statutin e këtij bordi, veçanërisht për fushëveprimin, mënyrën e qeverisjes dhe përputhshmërinë me OKB.
Megjithatë, Bashkimi Evropian mbetet i hapur për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zbatimin e një plani paqeje në Rripi i Gazës.
Sipas raportimit të The New York Times, në takimin joformal në Uashington pritet të prezantohet një plan prej miliarda dollarësh për rindërtimin e Gazës. SHBA dhe Emiratet e Bashkuara Arabe thuhet se janë gati të investojnë secila nga 1 miliard dollarë në këtë projekt.
Po ashtu, disa nga rreth 20 vendet pjesëmarrëse pritet të ofrojnë mijëra trupa për krijimin e një force sigurie që do të vendoset në territor, duke shënuar një hap të ri në përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e rajonit.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se ka marrë një ftesë nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për të vizituar Uashingtonin në ditët në vijim në kuadër të themelimit të Bordit të Paqes.
Në podcastin Flasim, Rama iu përgjigj kritikave që, sipas tij, kishin vënë në dyshim ekzistencën e kësaj ftese. Ai iu referua debateve në Kuvend, duke i cilësuar pretendimet e opozitës si të pabazuara dhe “qesharake”.
Sipas Ramës, Shqipëria nuk do të kontribuojë financiarisht për anëtarësimin apo për qëndrimin si anëtare e përhershme në këtë bord, por do të përfaqësohet përmes rolit dhe reputacionit të saj ndërkombëtar.
Ai theksoi se ftesa zyrtare nga presidenti amerikan ka mbërritur këtë javë dhe se Shqipëria do të jetë pjesë e themelimit të Bordit të Paqes, duke kontribuar jo me fonde, por me reputacionin dhe peshën e saj diplomatike në arenën ndërkombëtare.






