Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, i mbështetur nga opozita, ka publikuar një video ironizuese në rrjetet sociale, duke denoncuar gjendjen e një hapësire publike në kryeqytet, të cilën ai e quan me sarkazëm një “lulishte të re”.
Në fakt, pamjet tregojnë një shesh të mbushur me inerte e mbetje ndërtimi në rrugën “Xhanfize Keko”, që sipas Binajt, po paraqitet si hapësirë e gjelbër. Me humorin e tij karakteristik, ai e përshkruan vendin si një oaz unik në Tiranë, duke i pagëzuar “lulet” që gjenden aty me emra simbolikë.
“Prej më shumë se dy javësh kjo lulishte e sapoinauguruar u ka dhënë ajër të pastër jo vetëm banorëve të rrugës ‘Xhanfize Keko’, por edhe gjithë Tiranës. Këtu të mbush me frymë lule bukëpeshku, lule llamarine, lule dërrase, lule betoni, lule leshi xhami dhe lule leshi guri”, – shprehet me ironi Binaj në video.
Duke vazhduar me ton sarkastik, ai shton se kjo “lulishte” është vepër e “dy arkitektëve italianë të famshëm, Xhorxho Lafasulja dhe Xhuljano Lagrumi”, dhe e cilëson si “lulishtja e parë në botë me dizajn duplex, e cila shkrihet natyrshëm me trotuarin, duke ofruar hapësira për nënat me fëmijë dhe për moshën e tretë”.
“Kjo lulishte është aq e bukur sa mund ta shijoni edhe nga lart”, përfundon me ironi Binaj, duke lënë të kuptohet se pas “gjelbërimit” fshihet mungesa e kujdesit për hapësirat publike në Tiranë.






