“Belinda akuzohet për korrupsion, vendimi që mori Kuvendi i drejtë!”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kritikave të ambasadave të Britanisë dhe Gjermanisë lidhur me vendimin e Kuvendit për të mos miratuar kërkesën për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, kreu i qeverisë mbrojti qëndrimin e mazhorancës, duke theksuar se vendimi i marrë në parlament ishte i drejtë dhe në përputhje me standardet demokratike.

Sipas Ramës, Balluku nuk përballet me akuza për korrupsion dhe procesi hetimor duhet të vazhdojë pa ndërhyrje apo presione të jashtme ndaj institucioneve të drejtësisë.

Ai theksoi se hetimi duhet të zhvillohet në mënyrë të pavarur nga SPAK, pa u ndikuar nga faktorë jashtë sistemit të drejtësisë.

Kryeministri argumentoi se vendimi i shumicës parlamentare për të mos pranuar kërkesën për arrestim ishte në përputhje me normat kushtetuese dhe ligjore, duke theksuar se kërkesat e prokurorisë nuk kalojnë automatikisht pa një proces shqyrtimi institucional.

Sipas tij, në çdo parlament demokratik të Europës një vendim i tillë trajtohet përmes një procedure serioze dhe jo si një formalitet pa kontroll.

Rama shtoi se Kuvendi ka respektuar plotësisht kufijtë mes pushteteve kushtetuese dhe se pretendimet për të kundërtën nuk kanë argumente të mjaftueshme.

Në reagimin e tij, ai ironizoi edhe opozitën, duke e cilësuar atë si “Shoqata e Molotovëve të Tiranës”.

Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se drejtimi strategjik i vendit mbetet integrimi europian, duke përsëritur objektivin për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

Sipas Ramës, reforma në drejtësi nuk do të kthehet pas, ndërsa mbështetja për institucionet e drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit do të vazhdojnë.

Reagimi i Edi Ramës:

Përshëndes deklaratat e ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, me parimet e shprehura në të cilat jemi të gjithë shumë dakord, 100%.

Por duke qenë se që të dyja dolën sot, kur Kuvendi me plot të drejtë refuzoi heqjen e lirisë së një deputeteje në mungesë të plotë të kushteve për ta ndërmarrë një hap të tillë ekstrem dhe, njëkohësisht, duke qenë se Shoqata e Molotovarëve të Tiranës ka filluar të flasë edhe në emër të Gjermanisë, përfitoj nga rasti të theksoj:

• Kjo shumicë qeverisëse e ka mendjen të ndarë dhe busullën të palëvizshme: Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian🇦🇱🦅🇪🇺

• Reforma në Drejtësi nuk kthehet mbrapa, pavarësia e gjyqësorit nuk preket dhe mbështetja për SPAK-un mbetet e palëkundur.

• Lufta reale kundër korrupsionit vazhdon, më këmbëngulëse se kurrë, siç e tregon qartë edhe pasqyra objektive e përditësuar Komisionit Europian.

• Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe hetimi i çështjes duhet të vazhdojë, i patrazuar as nga pengimi as nga yshtja e SPAK-ut, prej faktorësh jashtë kufijve të pushtetit të pavarur gjyqësor.

• Shumica qeverisëse, bëri sot pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës, ku kalimi i kërkesave të prokurorisë jo për arrestin pa gjyq të një deputeti, po për të filluar apo jo hetimet, nuk është askund si kalimi pa asnjë lloj kontrolli i kufijve në zonën Shengen. Ai është një proces serioz, i bazuar në norma kushtetuese e ligjore, të cilat nuk janë as karta bianka, as dyer të mbyllura për prokurorinë.

Sot ne i kemi respektuar plotësisht ato norma dhe kush pretendon të kundërtën, ka të drejtën e vet të padiskutueshme, po s’ka argumenta të mjaftueshëm për ta fituar debatin mbi ekzistencën ose jo të kufirit mes pushteteve të pavarur kushtetues, të cilin parlamenti i Shqipërisë e mbylli sot duke treguar se dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike, të cilat e bëjnë kurën më të rrezikshme se sa sëmundja që duhet të luftojë!

Ecim përpara, Shqipëria nuk ka plan B🇦🇱❤️🇪🇺