Vetëm pak ditë më parë, në rrjetet sociale u bë viral një debat publik mes blogeres Eljona Pitarka dhe klinikës private “Vera-Virhov”.
Përplasja nisi pas një reagimi zyrtar të klinikës, e cila e akuzoi Eljona Pitarkën se po shpërndante në rrjete sociale dieta ushqimore për fëmijë, duke përdorur pa autorizim emrin e pediatrit Edi Tushe. Sipas klinikës, këto veprime përbënin shkelje të ligjit dhe ishin të papranueshme, veçanërisht kur bëhej fjalë për informacione që lidhen me shëndetin e fëmijëve.
Pas këtyre deklaratave, konflikti mes palëve u zhvendos edhe në Instagram, ku u publikuan postime dhe kundërpostime të ndërsjella, duke e bërë çështjen edhe më të ndjekur nga opinioni publik.
Së fundmi, klinika “Vera-Virhov”, e drejtuar nga Genta Dedej, njoftoi përmes një deklarate zyrtare se ka depozituar padi ndaj Eljona Pitarkës. Sipas klinikës, padia përfshin akuza për shpifje, fyerje, dëmtim të imazhit dhe shkelje të legjislacionit në fuqi.

Në deklaratën e saj, klinika thekson se ushtron aktivitetin prej më shumë se 20 vitesh, duke ndërtuar reputacionin mbi profesionalizëm, etikë mjekësore dhe respekt maksimal për shëndetin publik. Institucioni përfaqësohet nga mjekë të njohur si Dr. Edi Tushe, Dr. Gentian Stroni, Dr. Moza Keta, Dr. Elton Qeli, Dr. Gentian Caco, Dr. Meri Papajani, Dr. Fatbardha Xhani, si dhe shumë profesionistë të tjerë, të cilët cilësohen si krenaria e klinikës. Po ashtu, nga kjo klinikë kanë dalë dhjetëra infermierë dhe laborantë të specializuar, sot aktivë me dinjitet në tregun e punës.
Lidhur me Eljona Pitarkën, klinika sqaron publikisht se ajo nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë autorizim për të folur në emër të mjekëve të institucionit. Sipas deklaratës, ajo është trajtuar vetëm si paciente, me korrektësi dhe respekt.

Në vitin 2023, drejtuesja e klinikës shprehet se e ka këshilluar personalisht Pitarkën të mos publikonte informacione dezinformuese mbi shëndetin e fëmijëve, konkretisht për temperaturat febrile dhe dietat pediatrike. Pavarësisht këtij paralajmërimi, klinika pretendon se publikimet kanë vijuar, duke krijuar konfuzion dhe duke dëmtuar seriozitetin e profesionit mjekësor. Sipas saj, si person publik dhe influencer, Eljona Pitarka ka përdorur së fundmi Instagramin për të publikuar deklarata të pavërteta dhe shpifëse ndaj drejtueses dhe stafit të Klinikës “Vera-Virhov”, duke dëmtuar rëndë imazhin profesional të institucionit.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se janë konstatuar disa shkelje konkrete, përfshirë përdorimin e materialeve filmike pa lejen e klinikës, publikimin e këshillimeve si paciente në rrjetet sociale, çka përbën shkelje të pronësisë intelektuale, si dhe dërgimin e mesazheve kërcënuese në telefonin personal të drejtueses, të cilat, sipas saj, janë të dokumentuara. Klinika thekson se ekzistojnë edhe elementë të tjerë shkelës, të cilët do të bëhen pjesë e procesit ligjor.
Për këto arsye, Klinika “Vera-Virhov” ka nisur procedurat ligjore për shpifje, fyerje, dëmtim imazhi dhe shkelje të ligjit. Sipas deklaratës, ky proces mbështetet në Kodin Penal dhe parashikon, në varësi të rasteve konkrete, dënime që mund të shkojnë deri në 3 vite burg.
Në fund të reagimit, klinika bën të ditur se çdo gjobë apo dëmshpërblim që mund të përfitohet nga ky proces do të dhurohet për fëmijët e Jetimores së Tiranës, si një akt human dhe simbolik në emër të dinjitetit njerëzor. Klinika “Vera-Virhov” thekson se do të vijojë aktivitetin e saj me korrektësi, profesionalizëm dhe transparencë, në shërbim të pacientëve dhe shoqërisë shqiptare.






