Tensionet kanë shpërthyer ditën e sotme në shtëpinë e Big Brother VIP 5, ku një përplasje e fortë ka vënë përballë dy banorët Angelo dhe Seno. Debati mes tyre ka nisur me tone të larta dhe ka degraduar më pas edhe në një kontakt të lehtë fizik, duke alarmuar banorët e tjerë.

Shkak për konfliktin u bë mënyra se si Seno iu drejtua një prej vajzave në shtëpi, gjë që u kundërshtua ashpër nga Angelo. Ky i fundit reagoi menjëherë, duke i bërë të qartë se, sipas tij, ngritja e zërit ndaj vajzave nuk tolerohet brenda shtëpisë së Big Brother.

“Brenda këtij Big Brother-i nuk i bërtet asnjë vajze”, i tha Angelo Senos, duke këmbëngulur se një sjellje e tillë është e papranueshme jo vetëm në lojë, por edhe jashtë saj.

Nga ana tjetër, Seno reagoi me ironi dhe tone provokuese, duke i thënë se nuk i jep llogari askujt dhe duke e minimizuar ndërhyrjen e Angelos. Debati u ashpërsua edhe më tej, me replika personale dhe kërcënime indirekte, ndërsa situata doli për pak çaste jashtë kontrollit.

“Nuk ke asnjë shans t’i ngresh zërin një vajze, as këtu dhe askund tjetër”, vijoi Angelo, duke e mbyllur përplasjen me deklaratën se Seno kishte humbur mbështetjen e të gjithëve me sjelljen e tij.

Ngjarja ka krijuar një klimë të rënduar në shtëpi dhe pritet të sjellë reagime të forta, si nga banorët, ashtu edhe nga produksioni i Big Brother VIP.