Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë publik një denoncim të fortë, duke pretenduar se Adriana Kalaja është kërcënuar me jetë për shkak të padive që ajo ka ngritur ndaj kryeministrit Edi Rama dhe bashkëshortes së tij, Linda Rama.
Sipas Berishës, kërcënimet ndaj Kalasë kanë vijuar prej më shumë se një muaji dhe lidhen me kallëzimet e saj në SPAK për çështje që përfshijnë pronën në Surrel dhe pretendime për afera korruptive.
Ai deklaroi se, ndonëse Policia ka referuar rastin në organet e drejtësisë pas denoncimit nga Kalaja, çështja nuk ka pësuar zhvillime të mëtejshme në Prokuroria e Tiranës. Sipas tij, dosja vijon të mbetet pa veprim konkret, duke ngritur shqetësime për mënyrën e trajtimit të saj.
Berisha përdori tone të ashpra në deklaratën e tij, duke pretenduar ekzistencën e një “vrasësi digjital me pagesë”, që sipas tij përdoret për të ushtruar presion dhe kërcënime ndaj kundërshtarëve politikë. Ai shtoi se, pavarësisht këtyre pretendimeve, Kalaja nuk është tërhequr nga qëndrimet dhe veprimet e saj ligjore.
Në fund, kreu i opozitës paralajmëroi se çdo incident i mundshëm ndaj Kalasë do të mbajë përgjegjës direkt kryeministrin, duke e konsideruar situatën si një përpjekje për intimidim ndaj atyre që denoncojnë publikisht çështje që lidhen me qeverinë.
“Prej 1 muaj a më shumë, Adriana Kalaja, anëtare e këshillit kombëtar të PD-së, dhe kryetare e gjykatës së saj, ka marrë kërcënime me vdekje për paditë që i ka bërë Ramës dhe Linda Ramës, në SKAP për sarajet e Surrelit dhe afera të tjera korruptive. Dua të them, se policia e bëri detyrën e vetë. Policia pas njoftimit të zonjës Kalaja, përcolli çështjen në Prokurori, por është bërë një muaj dhe dosja fle në prokurorinë e Tiranës dhe nuk është hapur asnjë çështje zyrtare. Faqja në web e vrasësit digjital me pagesë të Ramës, është e hapur.
Por vrasësi digjital me pagesë, është i mbrojtur nga Rama. Imagjinoni se si përdoren të gjitha mjetet për të terrorizuar qytetarët, kundërshtarët. Adriana Kalaja nuk mposhtet dhe ndikohet nga kërcënimet. Jam këtu për ta paralajmëruar. Jam këtu për ta paralajmëruar se çdo incident me zonjën, do ta paguaj ai vetë. Ai nxit vrasës digjitalë me pagesë, të kërcënojë me jetë njerëz që bëjnë detyrën ndaj opinionit publik dhe padisin në gjykatë Edi Ramën.”, tha ai.






