Të jesh drejtues në institucione që menaxhojnë sektorë si AKU, ARRSH, AKUK apo FSHZH konsiderohet prej vitesh një pozicion me ndikim të madh financiar dhe administrativ. Por një denoncim i mbërritur në redaksinë e Publik.al hedh akuza të rënda për abuzim me detyrën brenda Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK).

Një inspektore e Task Forcës së ujërave larëse, e cila kërkon të mbetet anonime për shkak të frikës nga pasojat në vendin e punës, ngre akuza ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Task Forcës në AKUK, Arnold Pashollari.

“Na merr dietat dhe na kërcënon”

Sipas denoncimit, prej dy muajsh stafi ndodhet nën presion të vazhdueshëm.

“Edhe kur kemi dalë në terren, na është kërkuar të kthejmë dietat tona në zyrën e drejtorit. Rreth 10 punonjës u hoqën nga puna brenda një jave, pa paralajmërim, vetëm sepse nuk iu bindën kërkesave të tij”, – shprehet inspektorja.

Ajo pretendon se në urdhrat e punës shënohen makinat e institucionit, por në realitet inspektorët lëvizin me automjetet e tyre personale në qarqet Lezhë–Shkodër dhe më pas përdorin mjetet e shoqërive rajonale të ujësjellësve.

Sipas saj, kjo praktikë ngre dyshime për përfitime të paligjshme nga karburanti dhe përdorimi i mjeteve.

“Jepuni bizneseve numrin tim”

Një tjetër akuzë e rëndë lidhet me mënyrën e zhvillimit të inspektimeve.

Denoncuesja pretendon se gjatë kontrolleve, përgjegjësve të grupeve u kërkohet t’u japin bizneseve numrin personal të drejtorit, me qëllim që çështjet të “zgjidhen” pas orarit zyrtar.

Sipas saj, megjithëse janë kryer shumë inspektime, nuk është vendosur asnjë masë administrative, çka ngre pikëpyetje mbi transparencën e procesit.

Akuza për konflikt interesi

Në denoncim përmendet edhe një aktivitet privat në Lushnjë, i lidhur me familjarë të drejtorit, si dhe pretendime për përdorim të mjetit shtetëror jashtë funksionit zyrtar. Po ashtu, ngrihen dyshime për emërime të personave të afërt në strukturat e institucionit.

Publik.al nuk ka arritur ende të marrë një reagim zyrtar nga Arnold Pashollari apo nga drejtuesit e AKUK lidhur me këto pretendime.

Kërkohet verifikim institucional

Denoncuesja apelon për hetim institucional, duke theksuar se:

“Po na rrezikohet buka e fëmijëve. Kemi frikë të flasim hapur.”

Përballë akuzave të tilla, përgjegjësia bie mbi institucionet e mbikëqyrjes dhe organet ligjzbatuese për të verifikuar nëse kemi të bëjmë me shpifje apo me një skemë abuzimi me detyrën.

Publik.al do ta ndjekë këtë çështje dhe mbetet i hapur për çdo reagim zyrtar nga pala e përmendur.