
Një denoncim i mbërritur në redaksinë e Publik.al hedh dyshime serioze mbi një skemë të mundshme pastrimi parash përmes rrjetit të fast-foodeve “Mr. Greek”, ku si pronar faktik përmendet emri i Eltar Deda, aktualisht Administrator i Albpetrol sh.a..
Denoncimi është paraqitur nga një ish-menaxher i subjektit tregtar “Mr. Greek”, i cili pretendon se pas aktivitetit formal të kësaj shoqërie qëndrojnë interesa dhe financime të padeklaruara, që mund të përbëjnë elementë të veprave penale.
Pretendimi: Pronësi faktike e fshehur
Sipas kallëzimit, megjithëse emri i Eltar Dedës nuk figuron formalisht në dokumentacionin publik si pronar i “MR GREEK ALBANIA SH.P.K.”, ai paraqitet si pronari faktik i këtij biznesi. Si administrator aktual i shoqërisë përmendet Viktor Lagji, i cili sipas denoncuesit do të ishte përfaqësues formal.
Denoncimi e lidh Dedën me bashkëpunime të hershme institucionale në sektorin e energjisë, përfshirë pozicione drejtuese të mbajtura gjatë kohës së drejtimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë nga Belinda Balluku.
Zgjerim i shpejtë dhe dyshime mbi kapitalin
Sipas të dhënave të paraqitura, “MR GREEK ALBANIA SH.P.K.” rezulton e themeluar më 24 janar 2025, por brenda rreth një viti ka hapur disa pika në qytete dhe zona me kosto të lartë tregtare:
- Mr. Greek – Komuna e Parisit (Rruga Medar Shtylla, Tiranë)
- Mr. Greek – Astir, Tiranë
- Mr. Greek – Elbasan
- Mr. Greek – Vlorë (Bulevardi Ismail Qemali)
- MR. GREEK – zonën e Aeroportit “Nënë Tereza”, Rinas
- Stella Pizzeri Restorant – Radhimë, Vlorë
Pikat e deklaruara të “Mr. Greek
Sipas denoncimit, investimi për çdo pikë varion nga 200,000 deri në 400,000 euro, çka do të nënkuptonte një kapital total prej disa milionë eurosh brenda një periudhe të shkurtër kohore. Duke pasur parasysh natyrën e aktivitetit si fast-food dhe marzhet mesatare të sektorit, shtrohet pyetja mbi burimin real të financimit dhe strukturën e kapitalit.
Dyshimet e ngritura
Denoncuesi pretendon se subjekti tregtar mund të jetë përdorur si mekanizëm për qarkullimin dhe pastrimin e fondeve përmes personave të tretë. Ai thekson se zgjerimi i shpejtë në zona me kërkesë të lartë tregtare, përfshirë zonën e Rinasit, kërkon transparencë të plotë mbi burimin e kapitalit dhe kontratat përkatëse.
Po ashtu, sipas tij, në rrjete sociale promovohen hapur bizneset “Mr. Greek” dhe “Stella Pizzeri”, ku shfaqen lidhje të afërta mes administratorit formal dhe Eltar Dedës.
Kërkesë për verifikim institucional
Publik.al
për shkak të pozicionit publik të Eltar Dedës si drejtues i një shoqërie shtetërore strategjike si Albpetrol, çdo pretendim për konflikt interesi, pastrim parash apo përfshirje në struktura financiare paralele kërkon verifikim nga organet kompetente.
Transparenca mbi strukturën aksionere, burimin e kapitalit dhe kontratat e qirasë në zonat e përmendura mbetet thelbësore për të qartësuar nëse kemi të bëjmë me një zgjerim normal biznesi apo me një skemë të mundshme financiare të paligjshme.
Publik.al do të vijojë të ndjekë këtë çështje.