Partia Demokratike ka denoncuar një tjetër rast që e konsideron abuzim nga institucionet shtetërore, duke ngritur akuza për mbifaturim të energjisë elektrike ndaj qytetarëve.

Në një deklaratë publike, zëdhënësja për Antikorrupsionin në Partia Demokratike e Shqipërisë, Genta Vangjeli, bëri të ditur se rasti konkret vjen nga Fushë-Krujë, ku një abonent familjar pretendon se është përballur me faturime të pajustifikuara nga OSHEE.

Sipas saj, qytetari Bledi Muça ka qenë pagues i rregullt i energjisë elektrike, me detyrime mujore që zakonisht varionin nga 3 mijë deri në 7 mijë lekë. Megjithatë, në mënyrë të papritur, ai është përballur me fatura disa herë më të larta se konsumi i zakonshëm, duke arritur në vlera nga 120 deri në 180 euro në muaj.

Në deklaratë theksohet se, pavarësisht ankesave të bëra pranë institucioneve përkatëse, situata jo vetëm që nuk është korrigjuar, por sipas pretendimeve, janë shtuar edhe kamatëvonesa mbi detyrimet. Si rezultat, shuma totale e pretenduar ndaj qytetarit ka kaluar mbi 3500 euro, duke u cilësuar si një barrë e papërballueshme për një familje shqiptare.

Genta Vangjeli e cilësoi këtë rast si një shembull të qartë të mungesës së përgjegjshmërisë institucionale dhe presionit financiar ndaj qytetarëve, duke akuzuar administratën për mosreagim ndaj ankesave dhe për vijim të praktikave abuzive.

Në përfundim, ajo u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë përballë këtyre situatave dhe të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar, që synon kundërshtimin e politikave të qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.

faturat pd

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Një tjetër rast shqetësues abuzimi vjen nga Fushë-Kruja, ku një banor dhe abonent familjar i energjisë elektrike denoncon sot publikisht mënyrën se si po trajtohet nga administrata e qeverisë Rama.

Sipas dokumentacionit dhe librezës përkatëse, qytetari ka shlyer rregullisht detyrimet për energjinë elektrike, me fatura mujore që varionin nga 3 mijë deri në 7 mijë lekë.

Megjithatë, në mënyrë të papritur dhe të pashpjegueshme, abonenti, Bledi Muça, ka nisur të faturohet me shuma dy deri në trefish më të larta se konsumi i zakonshëm.

Përballë këtij mbifaturimi të pajustifikuar, qytetari ka refuzuar të paguajë faturat dhe është ankuar pranë institucioneve përkatëse për të kërkuar verifikim dhe korrigjim të situatës.

Por në vend që ankesa e tij të merrej në shqyrtim dhe të sqarohej, institucionet kanë vijuar me faturime të tjera dhe me përllogaritje kamatash.

fatura pd2

Si pasojë, shumat mujore të faturuara kanë arritur në vlera nga 120 deri në 180 euro në muaj, duke e çuar detyrimin total të pretenduar ndaj qytetarit në mbi 3500 euro, një barrë kjo, e papërballueshme për një familje shqiptare.

Ky është një tjetër shembull i qartë i arrogancës dhe papërgjegjshmërisë së administratës shtetërore, e cila në vend që të mbrojë qytetarët, i përball ata me padrejtësi dhe presion financiar.

Shqiptarët nuk mund të vijojnë të trajtohen në këtë mënyrë nga një administratë që nuk u përgjigjet nevojave të tyre dhe nuk mban përgjegjësi për abuzimet që ndodhin çdo ditë,

Prandaj të Dielën në orën 18:00 të gjithë në shesh deri në rrëzimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij”.