
Tregtia e Shqipërisë me vendet e rajonit po kalon një fazë të vështirë, duke sinjalizuar humbje të ndjeshme të terrenit në tregjet fqinje.
Të dhënat zyrtare të publikuara nga INSTAT tregojnë se në vitin 2025 eksportet drejt rajonit ranë me rreth 7%, ndërsa importet u rritën me gati 8%.
Nga 67.5 miliardë lekë në vitin 2024, eksportet zbritën në 62.7 miliardë lekë në 2025.
Në të njëjtën kohë, importet u rritën nga 54.7 miliardë lekë në 59.4 miliardë lekë.
Si pasojë, suficiti tregtar me rajonin u tkurr nga 12.8 miliardë lekë në vetëm 3.3 miliardë lekë brenda një viti.
Kjo përfaqëson një përkeqësim prej rreth 9.5 miliardë lekësh dhe një tkurrje drastike të avantazhit neto.
Eksportet kishin arritur kulmin në vitin 2023 me mbi 79 miliardë lekë, por që prej atëherë janë në rënie të vazhdueshme.
Brenda dy vitesh, Shqipëria ka humbur më shumë se 16 miliardë lekë në eksporte drejt rajonit.
Rënia po lidhet me rritjen e kostove të brendshme të prodhimit dhe me forcimin e lekut përballë euros.
Produktet shqiptare po bëhen më pak konkurruese krahasuar me ato serbe, maqedonase apo turke.
Struktura e eksporteve mbetet e përqendruar në produkte me vlerë të ulët të shtuar.
Në raport me Serbinë, deficiti tregtar u thellua në 14.56 miliardë lekë në vitin 2025.
Për çdo 1 lek që Shqipëria eksporton drejt Serbisë, importon gati 2.7 lekë mallra serbe.
Edhe pse eksportet drejt Serbisë u rritën lehtë me 3.3%, importet u zgjeruan me 5.8%.
Goditja më e fortë ka qenë në materialet e ndërtimit dhe metalet, si dhe në energji e minerale.
Kosova, partneri kryesor rajonal, po jep gjithashtu sinjale dobësimi.
Eksportet drejt Kosovës ranë me 9.5% në vitin 2025, duke zbritur në 33.65 miliardë lekë.
Suficiti me Kosovën u tkurr me mbi 20% brenda një viti.
Brenda dy vitesh, Shqipëria ka humbur rreth 12 miliardë lekë suficit në këtë treg.
Edhe Maqedonia e Veriut është kthyer nga treg suficitar në burim deficiti.
Eksportet drejt këtij vendi ranë me gati 24%, ndërsa importet u rritën me 16.7%.
Deficiti me Maqedoninë e Veriut arriti në mbi 5 miliardë lekë në vitin 2025.
Mali i Zi mbetet i vetmi treg ku Shqipëria ruan suficit relativisht të qëndrueshëm.
Megjithatë, edhe aty suficiti është më i ulët krahasuar me vitin 2023.
Bosnja dhe Hercegovina po shndërrohet gradualisht në një tjetër burim presioni mbi bilancin tregtar.
Volumi total tregtar me rajonin arriti në 122 miliardë lekë në vitin 2025, pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë.
Kjo tregon se problemi nuk është rënia e volumit, por përkeqësimi i strukturës së shkëmbimeve.
Shqipëria po shfaqet gjithnjë e më shumë si treg konsumi për mallrat e rajonit.
Ndërkohë, Procesi i Berlinit dhe Tregu i Përbashkët Rajonal kanë lehtësuar procedurat, por nuk kanë garantuar konkurrueshmëri reale.
Nëse trendi aktual vijon, tregtia rajonale nga një burim suficiti rrezikon të kthehet në një faktor të ri presioni mbi ekonominë shqiptare.
