Gazetari Elton Tozaj ka shpjeguar arsyet pse nuk e denoncoi menjëherë dhunën e rëndë që ushtrohet ndaj tij. Sipas Tozajt, kjo hezitim lidhet me një precedent të mëparshëm, kur vite më parë ishte kërcënuar drejtpërdrejt nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së asaj kohe.
Ai theksoi se për asnjë nga shkrimet apo publikimet e tij nuk ekziston ndonjë procedim penal, duke sqaruar se ndaj tij nuk ka pasur kurrë një proces gjyqësor të hapur. “Nëse dikush ndihet i cenuar nga ajo që kam shkruar, le t’i drejtohet gjykatës. Secili mban përgjegjësitë e veta, por ndaj meje nuk ka asnjë çështje”, u shpreh gazetari.
Tozaj pranoi se përvoja e mëparshme e kërcënimeve e kishte bërë të mos e denonconte dhunën, por këtë herë vendosi ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore. Megjithatë, ai ngriti shqetësime serioze mbi mënyrën se si po trajtohet rasti, duke deklaruar se si në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ashtu edhe në atë të Tiranës, një person i afërt me individin e denoncuar prej tij rezultonte të ishte pjesë e strukturave policore.
Gazetari gjatë një rrëfimi në emisionin “Me zemër të hapur”, ngriti dyshime të forta se personi që ai ka denoncuar mund të jetë i mbrojtur, duke vënë në dukje faktin se ky i fundit ka arritur të kalojë disa kontrolle policore, pavarësisht se konsiderohet një nga personat më të kërkuar të momentit. “Cila është arsyeja që nuk kapet?”, pyet Tozaj, duke hedhur hipoteza mbi një mbrojtje të mundshme nga strukturat e rendit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 26 dhjetor 2025, rreth orës 19:45, kur Elton Tozaj u dhunua në mënyrë barbare deri në humbje ndjenjash dhe më pas u la i shtrirë në rrugë, pa asnjë ndihmë, në gjendje kritike për jetën.
Pas tejkalimit të fazës më të vështirë shëndetësore, gazetari ka vendosur të flasë publikisht për herë të parë. Ai paralajmëron se së shpejti do të dalë përpara opinionit publik me prova dhe fakte konkrete, duke përmendur edhe emra të njohur nga bota e showbizit dhe politika, të cilët, sipas tij, kanë lidhje direkte me ngjarjen që çoi në dhunimin e tij.






