Moderatorja: Nuk investoj më përtej vetes
Grida Duma ka rrëfyer detaje nga jeta e saj personale gjatë një bisede me Bora Zemanin, ku për herë të parë foli hapur për një periudhë të rëndësishme të jetës së saj, duke e përshkruar vitin e kaluar si një fazë qartësie, reflektimi dhe çlirimi emocional.
Ajo u shpreh se gjatë kësaj periudhe ka ardhur në një pikë ku lëshimi nuk ka qenë më dobësi, por zgjedhje e vetëdijshme.
“Për herë të parë nuk kam pasur asnjë siklet të lëshoj”, tha Duma, duke nënvizuar se mbajtja e njerëzve, situatave apo marrëdhënieve nuk është gjithmonë vlerë në vetvete.
Sipas saj, jo çdo gjë që mbahet ka domethënie, ashtu siç jo çdo lëshim përbën humbje. Ajo theksoi se me rritjen personale vjen edhe aftësia për të kuptuar se cilat marrëdhënie “rrinë mirë” pranë teje dhe cilat, me kalimin e kohës, shndërrohen në peshë emocionale.
“Vjen një moment ku nuk investon më përtej vetes. Gjërat rrinë ose nuk rrinë vetë”, shpjegoi ajo gjatë podcastit, një deklaratë që ka nxitur edhe interpretime dhe hamendësime në publik, duke qenë se përkon me zhvillime të njohura nga jeta e saj personale gjatë vitit të kaluar.
Pa përmendur emra konkretë, mënyra e të shprehurit dhe koha që ajo përmend kanë bërë që ndjekësit të spekulojnë se këto reflektime mund të lidhen me një raport të rëndësishëm të së shkuarës me deputetin Ervin Salianji, për të cilin është folur gjerësisht në opinionin publik.
Nga ana e saj, Bora Zemani e cilësoi procesin e lëshimit si një “pastrim” të domosdoshëm që ndodh në një fazë të caktuar të jetës – një proces që sjell lehtësi, qetësi dhe një marrëdhënie më të shëndetshme me veten.






