Brezi i pishave drejt asimilimit
Betonizimi po avancon pa u ndalur edhe në një prej zonave më të bukura bregdetare të Shqipërisë. Këtë herë në fokus është Velipoja, një ndër plazhet më të frekuentuara në veri, ku ndërhyrjet në territor po ndryshojnë ndjeshëm identitetin natyror të zonës.
Prej vitesh, zhvillimi i pakontrolluar ka transformuar vijën bregdetare. Fillimisht me leje të dhëna pa kriter nga ish-komuna, më pas me ndërtime të shumta nga Bashkia e Shkodrës në zonën ranore, dhe së fundmi me projekte të miratuara nga qeveria që prekin drejtpërdrejt edhe hapësirat me pisha.
Hulumtime tregojnë një situatë alarmante: brezi i gjelbër në Velipojë po tkurret dita-ditës, ndërsa në vend të tij po projektohen godina shumëkatëshe. Përtej ndikimit mjedisor, pikëpyetje të forta ngrihen edhe mbi mënyrën se si është përcaktuar pronësia në një zonë që historikisht ka qenë ranore dhe e krijuar nga vetë deti Adriatik.
Si është e mundur që një sipërfaqe me pisha dhe rërë, e konsideruar pronë publike dhe e patjetërsueshme, të përfundojë në duart e privatëve? Raste të ngjashme në vend kanë treguar se shpeshherë prona të tilla si lumenj, përroi, rëra apo zona bregdetare kanë kaluar në mënyrë të dyshimtë në pronësi private.

Sipas dokumenteve të siguruara, KKTU ka miratuar me kusht lejen e ndërtimit për një projekt të quajtur “Treescape”, një kompleks banimi dhe hotelerie me 7 kate dhe 1 kat nëntokë. Projekti propozohet nga shoqëria “New Era Construction” dhe është planifikuar të ndërtohet në një truall prej rreth 2934 m² në vijën bregdetare të Velipojës.
Leja rezulton të jetë miratuar në fund të vitit 2024, ndërsa është bërë publike vetëm në mars 2025. Edhe pse dokumentacioni përfshin elemente teknike si lidhja me tokën dhe parametrat ndërtimorë, mbetet e paqartë dhe e dyshimtë mënyra e përfitimit të pronësisë mbi këtë sipërfaqe.



Vetë dokumenti i projektit pranon se ndërtimi do të realizohet në një zonë plotësisht ranore, buzë detit Adriatik, dhe në një hapësirë të mbuluar me pisha. Ky fakt ngre pikëpyetje të forta mbi vendimmarrjen e institucioneve përgjegjëse, të cilat nga njëra anë ndërmarrin aksione për lirimin e hapësirave publike, ndërsa nga ana tjetër miratojnë ndërtime masive në zona të ndjeshme.
Sipas përshkrimit, projekti synon të promovojë Velipojën si një destinacion turistik modern, duke ofruar shërbime hotelerie dhe rezidenciale për turistë vendas dhe të huaj.

Kompleksi “Treescape” parashikon ndërtimin e një hoteli me rreth 47 dhoma dhe 62 apartamente. Godina do të ketë 7 kate, ku në katin përdhe do të vendosen ambientet e shërbimit si recepsioni, restoranti dhe zyra, ndërsa katet e sipërme do të shërbejnë për akomodim. Projekti parashikon gjithashtu ndriçim natyral maksimal dhe një arkitekturë që, sipas zhvilluesit, synon të integrohet me natyrën përreth.
Megjithatë, pavarësisht justifikimeve për zhvillim turistik, mbetet fakti se një tjetër pjesë e gjelbër e bregdetit shqiptar rrezikon të zhduket nën beton, duke humbur përgjithmonë karakterin natyror që e ka bërë Velipojën një destinacion të veçantë.






