Nga data 10 qershor 2026 hyn në fuqi skema e fshirjes dhe lehtësimit të detyrimeve tatimore dhe doganore, duke u ofruar tatimpaguesve mundësi konkrete për të reduktuar barrën financiare.
Sipas përcaktimeve, për periudhën 2015–2019, subjektet mund të përfitojnë falje deri në 25% të detyrimit principal, nëse shlyejnë 75% të tij brenda datës 31 dhjetor 2026. Ndërsa për detyrimet e viteve 2020–2024, parashikohet fshirja e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, me kusht që të paguhet 100% e detyrimit bazë brenda të njëjtit afat.
Në njoftimin zyrtar të Administratës Tatimore, në vijim të udhëzimit nr. 11, datë 14.05.2026, për zbatimin e ligjit nr. 86/2025 “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë”, bëhet me dije se brenda 20 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi do të hartohet lista e plotë e subjekteve përfituese, si dhe e atyre që nuk përfitojnë.
Këto njoftime do t’u komunikohen tatimpaguesve në mënyrë elektronike përmes sistemit “e-Filing”. Pas përfundimit të këtij procesi, Administrata Tatimore do të vijojë me kompensimin automatik të tepricave kreditore të TVSH-së apo tatimeve të tjera me detyrimet përkatëse të subjekteve.
Kategoritë që përfitojnë nga fshirja/shuarja
Detyrimet deri më 31 dhjetor 2014
Fshihen plotësisht të gjitha detyrimet tatimore të papaguara që i përkasin kësaj periudhe, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat. Përjashtim bëjnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për të cilat nuk falet detyrimi principal.
Periudha 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019
- Fshihet 50% e detyrimit principal nëse 50% e mbetur paguhet njëherësh nga 10.06.2026 deri më 30.06.2026;
- Fshihet 25% e detyrimit principal nëse 75% e mbetur paguhet nga 10.06.2026 deri më 31.12.2026.
Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat anulohen plotësisht.
Periudha 1 janar 2020 – 31 dhjetor 2024
Fshihen të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që detyrimi principal të shlyhet i plotë (100%) nga data 10.06.2026 deri më 31.12.2026.
Përfitime të tjera të parashikuara
Sipas ligjit nr. 86/2025, parashikohen edhe këto lehtësira:
- Fshihen detyrimet për subjektet e çregjistruara në QKB ose me vendim gjykate deri më 31.12.2024, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore;
- Fshihen gjobat për mosdeklarim apo deklarim të vonuar për periudhat deri më 31.12.2024, nëse deklaratat dorëzohen deri më 30.06.2026;
- Fshihen penalitetet për dorëzim të vonuar të pasqyrave financiare dhe vendimeve për destinimin e rezultatit, të llogaritura deri më 31.12.2024;
- Fshihen gjobat dhe interesat që kanë lindur si pasojë e ndryshimeve në listëpagesa për shkak të akteve ligjore ose vendimeve gjyqësore me efekt prapaveprues;
- Fshihen të gjitha gjobat administrative të krijuara deri më 31.12.2024.
Subjektet që nuk përfitojnë
Nga kjo skemë përjashtohen:
- Subjektet e dënuara me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore ose doganore;
- Subjektet që janë aktualisht në hetim apo proces gjyqësor për vepra të tilla;
- Subjektet ndaj të cilave ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë në favor të administratës tatimore apo doganore për detyrimet përkatëse.
Tatimpaguesit që ndodhen në proces ankimi administrativ apo gjyqësor mund të përfitojnë vetëm nëse heqin dorë nga ankimi ose padia. Paraqitja e kërkesës duhet të bëhet pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore nga data 10.06.2026, përpara kryerjes së pagesës së detyrimit principal dhe jo më vonë se 30.11.2026.
Në përfundim, Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve të verifikojnë situatën e tyre në sistemin “e-Filing” dhe të respektojnë afatet e përcaktuara, për të përfituar nga lehtësitë e parashikuara në këtë ligj.






