“Çlirimi” i hapësirave publike rezulton fasadë në Tiranë

Një tjetër rast konkret në Tiranë rrëzon narrativën e “çlirimit të hapësirave publike”. Në zonën pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, në Njësinë 5, një hapësirë që u prezantua si e liruar nga zënia private, është rikthyer sërish në funksionin e mëparshëm: parking me pagesë.

Pak javë më parë, aksioni i qeverisë dhe bashkisë u promovua gjerësisht në media, me pamje të fadromave dhe ndërhyrjeve për heqjen e strukturave të paligjshme. U paraqit si një operacion i fortë kundër abuzimit me hapësirat publike, duke krijuar perceptimin e një ndryshimi real në terren.

Por realiteti në këtë zonë tregon të kundërtën. Hapësira që më parë funksiononte si parking me pagesëku pagesa kryhej në një kioskë,është rikthyer sërish si e tillë. Ndryshimi i vetëm është forma e administrimit: tani pagesat mblidhen në mënyrë informale nga persona që qëndrojnë në terren, pa asnjë strukturë zyrtare.

Paralelisht, edhe subjektet private që kufizonin hapësirat e tyre me materiale të forta, kanë vijuar aktivitetin duke përdorur forma të tjera më të lehta, por me të njëjtin efekt praktik: zënien e hapësirës publike.

Ky zhvillim ngre pikëpyetje serioze mbi qëndrueshmërinë dhe sinqeritetin e aksionit të ndërmarrë. Në vend të një reforme reale, rasti sugjeron një zhvendosje të përkohshme të problemit dhe rikthim të tij në forma të reja.

Për banorët, situata mbetet e pandryshuar: hapësira publike vazhdon të përdoret si burim fitimi, ndërsa ndërhyrjet institucionale perceptohen gjithnjë e më shumë si veprime fasadë, pa ndikim afatgjatë në terren.