“Italianët kanë vendosur dhe ky vendim duhet respektuar.” Me këto fjalë ka reaguar kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, pas publikimit të rezultateve paraprake të referendumit për reformën kushtetuese.
Në deklaratën e saj, Meloni theksoi se qeveria do të vijojë punën “me përgjegjësi, vendosmëri dhe respekt për qytetarët dhe për shtetin italian”, duke lënë të kuptohet se rezultati nuk do të ndryshojë drejtimin e ekzekutivit.
Sipas të dhënave të publikuara nga ANSA, bazuar në informacionet e transmetuara nga televizioni publik RAI, nga një pjesë e konsiderueshme e votave të numëruara, shumica e qytetarëve kanë votuar kundër reformës. Konkretisht, 54,42% e votuesve kanë zgjedhur “Jo”, ndërsa 45,58% janë shprehur në favor të saj.
Këto shifra burojnë nga numërimi i mbi 17 mijë qendrave të votimit, nga një total prej më shumë se 61 mijë të tilla në të gjithë vendin, duke dhënë një panoramë të qartë të prirjes së elektoratit.
Referendumi konsiderohej një test i rëndësishëm politik për Melonin, e cila drejton një koalicion qeverisës që prej tetorit 2022. Megjithatë, pavarësisht rezultatit të pafavorshëm, ajo ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, duke theksuar vazhdimësinë e mandatit të saj.
Nisma për reformën në drejtësi ishte një nga projektet kryesore të mazhorancës. Ajo synonte ndryshime të thella në sistem, përfshirë ndarjen e karrierave mes gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe krijimin e strukturave të reja vetëqeverisëse për këto dy kategori.
Propozimi kishte kaluar më parë në të dy dhomat e parlamentit, por për shkak të natyrës kushtetuese, iu nënshtrua votës së drejtpërdrejtë të qytetarëve.
Debati politik rreth reformës ka qenë i fortë. Forcat e djathta kanë argumentuar se sistemi aktual i drejtësisë është i ndikuar nga e majta, ndërsa opozita ka akuzuar qeverinë se përmes këtyre ndryshimeve synon të rrisë kontrollin politik mbi institucionet e drejtësisë.
Rezultati i referendumit shihet gjithashtu si një sinjal i rëndësishëm për klimën politike në Itali, në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të planifikuara për vitin 2027.






