“Për një certifikatë prone, zvarriten gjyqet”

Vonesat në kthimin e përgjigjeve nga institucionet e kadastrës po krijojnë bllokime serioze në proceset gjyqësore në veri të vendit. Ky është shqetësimi i ngritur nga Dhoma Vendore e Avokatisë Lezhë, e cila paralajmëron për pasoja të drejtpërdrejta në zvarritjen e çështjeve, sidomos atyre civile që lidhen me pronat.

Sipas kryetarit të kësaj dhome, Mark Lleshi, problematikat më të mëdha lidhen me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Ai thekson se mungesa e përgjigjeve në kohë për shkresat zyrtare po detyron gjykatat të shtyjnë seancat për periudha të gjata, deri në një vit në disa raste.

Në çështjet që kanë në fokus pronësinë, gjykatat janë të detyruara të kërkojnë dokumente si certifikata pronësie, kartela pasurie, harta kadastrale dhe historiku i pronës. Kur këto dokumente nuk mbërrijnë në kohë, procesi gjyqësor ngec dhe palët përballen me pritje të gjata, duke rritur kostot dhe pasigurinë ligjore.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e avokatëve paralajmërojnë se nëse situata nuk ndryshon, do të ndërmarrin hapa institucionalë duke iu drejtuar strukturave rajonale dhe qendrore për të kërkuar ndërhyrje. Sipas tyre, vonesat sistematike nuk mund të tolerohen pafundësisht dhe cenojnë të drejtën e qytetarëve për një proces të rregullt ligjor.

Ky reagim vjen në një moment kur edhe përfaqësues të opozitës në Këshillin Bashkiak të Lezhë kanë ngritur akuza për mungesë efikasiteti dhe shërbimi nga kadastra, duke përmendur pritje të gjata dhe vështirësi në pajisjen me dokumentacion pronësie.

Situata bëhet edhe më komplekse për shkak të riorganizimit të sistemit gjyqësor. Me hartën e re gjyqësore, Gjykata e Lezhës tashmë mbulon një territor më të gjerë, duke përfshirë edhe Mirditën dhe Kurbinin. Kjo rrit ndjeshëm volumin e çështjeve dhe e bën edhe më kritike çdo vonesë në sigurimin e dokumenteve zyrtare.

Në këto kushte, avokatët kërkojnë reagim të menjëhershëm institucional për të shmangur paralizimin e mëtejshëm të proceseve gjyqësore dhe për të garantuar funksionimin normal të drejtësisë.