Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka evidentuar një sërë problematikash serioze në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, duke ngritur shqetësime për menaxhimin e të ardhurave dhe zbatimin e procedurave doganore.
Sipas auditimit për vitin 2024, një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave nga TVSH-ja në import, akcizat, renta minerare dhe taksat doganore nuk janë realizuar sipas planifikimit, duke ndikuar negativisht në buxhetin e shtetit.
Raporti vë në dukje dobësi të theksuara edhe në kontrollin dhe verifikimin e mallrave. Në disa raste mungon dokumentacioni i plotë, përfshirë certifikatat e origjinës dhe të dhënat teknike të produkteve. Gjithashtu, janë konstatuar deklarime të pasakta për mallra të ndryshme, si qumështi, lëndët djegëse dhe produkte të tjera, ndërsa në shumë raste mungojnë analizat laboratorike për të verifikuar përbërjen e tyre.
Sipas KLSH-së, këto parregullsi kanë sjellë llogaritje të pasakta të detyrimeve doganore, duke shkaktuar një dëm financiar të konsiderueshëm. Në total, janë identifikuar efekte negative në vlerën prej rreth 5.72 miliardë lekësh, si dhe 1.88 milionë lekë të ardhura të munguara për shkak të gabimeve në vendosjen e gjobave dhe detyrimeve.
Problematika janë evidentuar edhe në degë të ndryshme doganore, ku në Durrës dhe Rinas janë konstatuar dëme financiare në vlera të konsiderueshme, që arrijnë në qindra miliona dhe miliarda lekë.
Raporti thekson gjithashtu dobësi në luftën kundër kontrabandës, si dhe mungesë të masave ndëshkuese efektive ndaj shkeljeve, duke ngritur pikëpyetje mbi efikasitetin e kontrollit dhe mbikëqyrjes në sistemin doganor.






