Një formë e re mashtrimi digjital ka ngritur shqetësim tek përdoruesit e kartave bankare. Përmes një pajisjeje POS pirate, e cila duket identike me lexuesit normalë të kartave, hajdutët arrijnë të kryejnë pagesa të paautorizuara, mjafton t’i afrohen xhepave ose çantave ku mbahen kartat.
Ky mekanizëm shfrytëzon funksionin e pagesave pa kontakt (contactless), që lejon kryerjen e transaksioneve të vogla pa PIN. Në këtë mënyrë, mjafton një afrim i shpejtë me kartën për të kryer pagesa të vogla që shpesh kalojnë pa u vënë re.
Sipas ekspertit të sigurisë, MSc Roland Tashi, ky fenomen është konstatuar edhe në Itali e Kanada, ku grupe kriminale kanë përdorur terminale të modifikuara për të kryer rimbursime apo mikrotransaksione të paligjshme. Në një rast në Itali, një grua mbante POS të fshehur në çantë dhe “vidhte” turistët thjesht duke iu afruar pranë.
Si funksionon mashtrimi?
Një POS i modifikuar mund të konfigurohet për të lexuar kartën me NFC dhe për të kryer pagesa minimale, duke e bërë të vështirë identifikimin e mashtrimit në kohë. Pajisja aktivizohet në vende të mbushura me njerëz, si qendra tregtare, transport publik apo evente masive. Viktimat shpesh nuk e kuptojnë menjëherë humbjen, sidomos nëse nuk kanë aktivizuar njoftimet bankare.
Si të mbroheni?
Përdorni portofola me mbrojtje RFID-blocker, që bllokojnë sinjalet NFC.
Mbani kartat në xhepa të brendshëm ose në portofola të fortë.
Kërkoni në bankë çaktivizimin përkohësisht të funksionit contactless ose uljen e kufirit të pagesave pa PIN.
Kontrolloni rregullisht lëvizjet bankare dhe raportoni menjëherë çdo transaksion të dyshimtë.
Ekspertët këshillojnë kujdes, por jo panik. Rreziku ekziston, por është i kufizuar nëse përdoruesit janë të informuar dhe marrin masa parandaluese






