Vëllai i Gramos Sakos dhe ortaku i vëllait të ministrit Ermal Nufi me kullë 27 katëshe
Një tjetër vendimmarrje e debatueshme është zbardhur nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, institucion që funksionon në varësi direkte të kryeministrit Edi Rama. Bëhet fjalë për një leje ndërtimi të konsideruar problematike, ku përfitues rezultojnë persona të lidhur ngushtë me eksponentë të mazhorancës.
Sipas të dhënave, në datën 27 prill 2026 është miratuar një projekt i madh ndërtimi në Tiranë, i cili ngre dyshime për konflikt interesi dhe favorizim përmes lidhjeve familjare dhe politike. Ky vendim vjen në një kohë kur janë shtuar rastet e përfitimeve të dyshimta nga persona të afërt me drejtues të institucioneve publike.
Ende pa u mbyllur debati për një tjetër leje ndërtimi për një kullë 16 kate, ku përfitues ishin familjarë të kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, një rast i ri ka dalë në pah. Këtë herë, përfitues rezultojnë persona të lidhur me kryetarin e Bashkisë së Tepelenës dhe me ministrin e Mbrojtjes, duke thelluar dyshimet për një skemë të strukturuar përfitimi brenda mazhorancës.
Bëhet fjalë për një leje ndërtimi për një kullë 27-katëshe në Bulevardin e Ri të Tiranës, e miratuar për kompanitë “2T” dhe “Be–Is”.

Sipas dokumentacionit, objekti do të ndërtohet në një zonë strategjike të kryeqytetit, me kufizim në jug nga rruga “Siri Kodra”. Projekti parashikon një strukturë masive ndërtimi, me intensitet të lartë shfrytëzimi të truallit dhe volum të konsiderueshëm ndërtimi.

Nga verifikimet në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se kompania “2T” është në pronësi të Artan Sakos, vëllait të Gramos Sakos, aktualisht kryetar i Bashkisë së Tepelenës dhe ish-komandant i Gardës së Republikës. Ortaku i tij është Dritan Troksi, një person i afërt me t.
Nga ana tjetër, kompania “Be–Is” zotërohet nga biznesmeni Hamz Islamaj, i cili më herët ka përfituar kontrata të shumta publike me vlerë miliona euro, kryesisht nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
Një element tjetër që shton dyshimet është lidhja e kësaj kompanie me rrethin familjar të ministrit të Mbrojtjes. Konkretisht, Edmir Nufi, vëllai i ministrit Ermal Nufi, rezulton ortak me Hamz Islamajn në kompaninë “Maritime Logistics”.
Kjo ndërthurje interesash, ku përfshihen familjarë të drejtuesve politikë dhe kompani që kanë përfituar tendera publikë, shihet si një tregues i mundshëm i një skeme të mirëorganizuar për përfitime ekonomike përmes pushtetit.
Sipas të dhënave, projekti i kullës është mbajtur për muaj të tërë në proces miratimi, duke ngritur dyshime se vendimi është përdorur si mjet presioni apo negocimi politik. Vetëm pas një periudhe pritjeje, në prill 2026, është firmosur nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.
Po ashtu, burime bëjnë me dije se një rol aktiv në këtë proces ka pasur edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili më parë ka qenë pjesë e strukturave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe konsiderohet një figurë me ndikim në vendimmarrje.
Ndërkohë, të dy biznesmenët e përfshirë në këtë projekt rezultojnë të jenë përfitues të shpeshtë të fondeve publike dhe projekteve infrastrukturore, çka ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje mbi mënyrën e përzgjedhjes së tyre.
Projekti i kullës parashikon një ndërtim modern me dy volume të larta dhe përdorim intensiv të hapësirës, duke transformuar ndjeshëm zonën ku do të ndërtohet.

Në këtë kontekst, mungesa e reagimit nga opozita kryesore në vend ka shtuar debatet publike mbi rolin e saj në denoncimin dhe ndjekjen e rasteve të tilla, ndërsa çështje si konflikti i interesit, përdorimi i fondeve publike dhe transparenca në vendimmarrje vijojnë të mbeten në qendër të vëmendjes.






