Skualifikohen të gjithë konkurrentët

Një tjetër tender me “erë të fortë” favorizimi dhe gare të paracaktuar është zhvilluar në Bashkinë Lezhë, ku procedura për “Blerje materiale për mirëmbajtjen e rrugëve, trotuareve, shesheve, sistemit ujitës dhe kullues” ka ngritur pikëpyetje serioze mbi transparencën dhe ligjshmërinë e garës.

Tenderi me fond limit plot 46.9 milionë lekë pa TVSH u zhvillua nga Bashkia Lezhë në procedurë të hapur mbi kufirin e lartë monetar, por rezultati final duket më shumë si një “garë e mbyllur” sesa konkurrencë reale.

Nga 3 operatorë ekonomikë pjesëmarrës në tender:

* “MURATI D” SH.P.K
* “GENERAL TRADING” SH.P.K
* “STELLA” SH.P.K

në fund u skualifikuan të gjithë konkurrentët përveç fituesit “STELLA” SH.P.K, e cila mori kontratën me vlerë 42.2 milionë lekë pa TVSH.

Ajo që ngre dyshime edhe më të forta është fakti se sipas të dhënave të procedurës, është skualifikuar oferta me vlerën më të ulët, duke i hapur rrugë kompanisë fituese me ofertë më të lartë.

Pra, në vend që Bashkia Lezhë të kursejë paratë publike dhe të favorizojë ofertën më ekonomike për qytetarët, procedura përfundon me eliminimin e rivalëve dhe shpalljen fituese të operatorit që mbeti i vetëm në garë.

Një skemë që po kthehet në “sëmundje kronike” në tenderët publikë: skualifikohen konkurrentët me justifikime teknike dhe në fund kontrata i jepet kompanisë së paracaktuar.

Tenderi me numër reference REF-77845-03-02-2026 ka si objekt furnizimin me materiale ndërtimi dhe produkte të ngjashme për mirëmbajtjen e infrastrukturës në Bashkinë Lezhë, ndërsa fondi është financuar tërësisht nga buxheti i qytetarëve.

Përballë këtyre dyshimeve të forta për favorizim dhe deformim të garës, SPAK duhet të zbarkojë urgjentisht në Bashkinë Lezhë për të hetuar procedurën, skualifikimet dhe mënyrën sesi u shpall fitues operatori ekonomik. Kur skualifikohet oferta më e ulët dhe mbetet në lojë vetëm kompania fituese, dyshimet për një tender të dirigjuar bëhen edhe më të forta.