Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, gjatë fjalës së saj në Kuvend, paraqiti një panoramë të investimeve dhe projekteve që po zbatohen në infrastrukturën spitalore në vend, duke theksuar se sektori shëndetësor është pjesë e një plani të gjerë zhvillimi.

Duke iu përgjigjur drejtpërdrejt kritikave të deputetit të Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, lidhur me gjendjen e spitalit të Lushnjës, ministrja deklaroi se ky institucion është përfshirë në një program kombëtar investimesh dhe pritet të përfitojë përmirësime konkrete.

“Kemi zgjedhur të investojmë për të garantuar shërbimin. Spitali i Lushnjes është pjesë e një programi kombëtar investimesh. Për 2027 janë parashikuar më shumë investime. Por është e lehtë të bësh opozitë me batuta. Brenda këtij viti pritet të nisë puna për godinën e Spitalit të Korçës. Investimet shtrihen gradualisht në të gjithë territorin, vizioni është i qartë që qytetarët të marrin shërbim dinjitoz”, tha ajo.

Nga ana tjetër, reagimi i deputetit Saimir Korreshi ishte i ashpër, duke e përshkruar gjendjen në spitalin e Lushnjës si tejet problematike dhe larg standardeve minimale.

“Nuk ju vjen turp ju. Edhe synetlliqet janë rralluar nuk merren përsipër. 6 muaj nuk punoi ajo e anestezisë. Prej 57 ditësh në Lushnje ke një pacient , nuk ka frigorifer për të mbajtur insulinën, sepse ka skaduar 20 herë. Shkon e blen vetë ai. Kujt ja tregoni revistat televizive nuk keni turp. Në Lushnje të hanë minjtë , është batërdi, ka rënë çdo mur. Si shikoheni në pasqyrë. Keni të bënë me jetë njerëzish…52 lushnjarë ikin jashtë Lushnjes për të marrë dializë, nuk keni turp…harram lekët e shqiptarëve, se nuk punon pajisja e ujit për të freskuar ujin. A paguajnë taksa këta, përse të shkojnë te privati?”, tha ai, duke shtuar: “Kam pasur një humbje të madhe, për një eko vdiq. 38 vjeç, po të ishte konstatuar do kishte shpëtuar… kur mora 127 u përgjigj Tirana…Duhet të marr unë Tiranën, Lushnja mua…”

Debati në Kuvend pasqyroi përplasjen e fortë mes palëve mbi gjendjen e sistemit shëndetësor, ku nga njëra anë theksohen investimet dhe planet zhvillimore, ndërsa nga ana tjetër ngrihen shqetësime serioze për kushtet aktuale dhe shërbimet ndaj pacientëve.