Ish-deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu ka komentuar deklaratat dhe qëndrimin e Presidentit të KE-së, Jean-Claude Juncker, të bëra në një prononcim të përbashkët me kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale është shprehur se, mbështetja e Brukselit për kryeministrin Edi Rama është shuplakë për opozitën.
“Mbështetja e Brukselit Për Ramën Shuplakë për Opozitën.
Mbështetja e Brukselit dhe sidomos kënaqësia e hapur e Jean-Claude Juncker për reformat e Qeverisë janë një shuplakë e madhe për opozitën. Sot Brukseli foli me një gojë për suksese të mëdha të Qeverië dhe në front u shpreh optimizmi për hapjen e negociatave. Meqenëse ata janë më shumë të djathtë, mbështetja hapur e Qeverisë së Ramës tregon se ata realisht besojnë vetëm tek ajo. E thënë ndryshe, opozita as nuk i ka bindur ata për gjendjen në të cilën është Shqipëria dhe as i bind që Shqipëria mund të jetë më mirë po të qeveriset nga opozita e sotme”, – shkruan ish-deputeti.
Shehu ka kritikuar punën e Partisë Demokratike si opozita e vendit, për të cilën tha se është duke bërë vetëm zhurmë dhe një ofertë të qartë që mund të vlerësohej nga qytetarët.
“Dhe kjo situatë ka një shpjegim: Opozita po bën zhurmë dhe jo ofertë për qytetarët. Qytetarët e pranojnë se Rama e kriminalizoi dhe kanabizoi Shqipërinë por nuk po i bashkohen opozitës. Dhe kjo sepse ata nuk shikojnë ndryshim midis Qeverisë dhe opozitës dhe perceptimi qytetar është se “të gjithë janë njëlloj”. Opozita nuk ka arritur që të ofrojë modelin ndryshe që presin qytetarët. Kauza e opozitës për dekriminalizimin nuk i frymëzoi qytetarët sepse ata e shikojnë edhe opozitën të kriminalizuar dhe për ta nuk ka rëndësi nëse ajo është e kriminalizuar më pak se sa Qeveria.”, – shkruan Shehu.
Suipas tij, “Akuza që ju bë Ramës për fotografinë me Obamën u kthye në bumerang për opozitën pas fotografisë së Bashës me Presidentin Trump dhe pagesave që nuk është e shumë e qartë se si janë bërë.”
Në përmbyllje të reagimit të tij demokrati Shehu, shprehet se, “PD duhet të ndërtojë raportin me Qytetarët. Atyre ju duhet thënë e vërteteta edhe kur është e hidhur. Ata binden me model dhe jo me retorikë. Joel A. Barker i përforcuar më vonë edhe nga Nelson Mandela thotë se: “Vizioni pa veprim është vetëm një ëndërr në diell, ndërsa vizioni i shoqëruar me veprim mund të ndryshojë botën.””






