Autoritetet policore në Serbi kanë ndaluar katër shtetas nga Shqipëria, të cilët akuzohen se kanë ekspozuar veshje me përmbajtje simbolike kombëtare gjatë qëndrimit të tyre në territorin serb.

Sipas raportimeve të mediave lokale, personat e arrestuar janë identifikuar me inicialet A.S. (1989), E.V. (1984), E.G. (1978) dhe A.C. (2005). Ata dyshohet se kanë konsumuar veprën penale që lidhet me nxitjen e urrejtjes dhe intolerancës mbi baza kombëtare, racore dhe fetare.

Burime mediatike bëjnë të ditur se një prej të ndaluarve, A.S., kishte publikuar më herët gjatë ditës një video në rrjetet sociale, ku shfaqej duke udhëtuar me një automjet tip Audi së bashku me personat e tjerë. Në pamjet e publikuara, ata shfaqnin simbole të lidhura me konceptin e Shqipërisë Etnike, ndërsa lëviznin në një autostradë në Serbi.

Pas ndalimit, ndaj tyre është vendosur masa e mbajtjes në paraburgim për një periudhë deri në 48 orë. Në përfundim të këtij afati, pritet që çështja t’i referohet Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, së bashku me materialet përkatëse procedurale.

Bluza