Gazetari Osman Stafa: Kanceri nuk njeh pushim
Gazetari Osman Stafa ka reaguar lidhur me situatën alarmante në shërbimin Onkologjik, ku pacientët që ndjekin trajtimin me kimioterapi janë përballur me mungesë shërbimi dhe informimi.
Sipas tij, pacientë të shumtë që janë paraqitur në datat e përcaktuara për trajtim, kanë gjetur dyert e mbyllura, duke mos mundur të marrin shërbimin jetik për shkak të ditëve të pushimit. Kjo situatë ka sjellë ndërprerje të rrezikshme të protokolleve mjekësore, duke ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin e tyre.
Stafa thekson se kimioterapia nuk është një procedurë që mund të shtyhet sipas kalendarit të pushimeve, pasi ajo ndjek intervale të sakta dhe çdo vonesë mund të ketë pasoja serioze për pacientin.
“Po, stafi ka të drejtë për pushim. Por një sistem normal shëndetësor nuk i lë pacientët pa shërbim dhe pa informacion,” – shprehet ai.
Sipas denoncimit, një pacient që duhet të kryente kimioterapinë të premten, për shkak të pushimeve të njëpasnjëshme (e premte, fundjavë dhe e hënë), ka humbur deri në katër ditë trajtim. “A e ka pushim kanceri këto katër ditë?” – ngre pyetjen gazetari.
Ai shton se në sistemet funksionale shëndetësore, edhe gjatë ditëve të pushimit, shërbimet jetike organizohen me staf të reduktuar dhe pacientët informohen paraprakisht. Ndërsa në këtë rast, sipas tij, pacientët nuk njoftohen për mungesën e shërbimit, por vetëm kur mungojnë ilaçet.
“Kjo nuk është vetëm çështje shërbimi, por edhe trajtimi njerëzor. Sepse këta njerëz janë në një betejë për jetën, dhe kjo është një luftë që nuk njeh pushim,” – përfundon reagimi.






