Qeveria të prodhojë politika, jo videoklipe!
Nga Mentor Kikia
Edhe sikur t’i numërojmë dy herë pasagjerët në Rinas, sërish ky vit nuk mund të quhet një sukses turistik.
Kalova një fundjavë në Pogradec. Qyteti ishte plot njerëz dhe gjallëri. Tek-tuk shfaqej ndonjë turist i huaj. Restorantet ishin përplot dhe të gjeje hotel apo shtëpi ishte e vështirë. U akomodova në një shtëpi të re: dhomë duplex për një çift dhe dy fëmijë, me aneks gatimi, 40 euro nata (po flas në euro dhe po e quaj 1/100). Super komoditet.
Në restorante kishte mundësi për të gjithë, sipas buxhetit. Çmimet, mëse të arsyeshme. Çadra? 4 euro tek privatët, ose 0 euro nëse shtron peshqirin tënd.
Një javë më parë isha në një fshat të jugut, Piqeras. Në një hotel të ri, ende me dhera përreth, 150 euro nata e njëjta dhomë (çift dhe tre fëmijë), vetëm gjumë. Asnjë shërbim tjetër, asnjë kafe për mëngjes.
Në një shtëpi tjetër, një dhomë 3×3 metra, 60 euro (për hatër), me vetëm një prizë dhe asnjë shërbim tjetër. As kafe për mëngjes.
Çmimet e ushqimit? 8-10 euro një sufllaqe.
Parkingu? 5 euro nata.
Çadrat? 15-20 euro.
Fshati? Si të gjithë fshatrat shqiptarë – pluhur, rrëmujë, kaos.
Përse këto çmime? Çfarë i justifikon?
Çfarë e justifikon një çadër 50-100 euro në “Maldivet” e leshit në Ksamil, kur sapo lë bregun dhe futesh në qytet, as Google Maps nuk të ndihmon nga kaosi urban?
Përse në Sarandë duhet të paguash më shumë se në Antalya për të pushuar? Çfarë ofrohet konkretisht?
Reklamat e sforcuara të qeverisë në portale të huaja, të cilat më pas i riciklojnë mediat tona, kanë krijuar një realitet të rremë.
Lajmet trullosëse çdo ditë për “Perlën e Mesdheut”, “Maldivet shqiptare”, “Mrekullinë e pazbuluar të Europës”, i bënë pronarët e shtëpive dhe hoteleve të besojnë vërtet në diçka që nuk janë. I bënë të besojnë se ekziston një Shqipëri tjetër, ajo televizive, jo kjo reale që shohim çdo ditë.
Reklama solli më shumë vizitorë nga Italia apo Europa Qendrore (nuk dihet se sa prej tyre do kthehen ndonjëherë). Me këtë entuziazëm, pushuesi kosovar u përçmua e u etiketua si “sufllaqexhi”, “byreku me kos”, sepse nuk pranonte të paguante 10 euro për një pjatë makarona me një midhje dhe dy mini-karkaleca, por blinte ushqime në market.
Euforia e reklamave i bëri bregdetasit të besonin se në oborret e tyre do të vinte vetë Jeff Bezos dhe do ta lidhte jahtin te hualli i gardhit të shtëpisë.
Jeff erdhi, por për të blerë karburant të lirë dhe për të shkarkuar depozitat, jo për pushime. Ndërkohë, kosovarët u larguan drejt Veriut, Ulqinit apo Turqisë.
Në fakt, çfarë ofrojmë ne, përveç detit që s’është merita jonë?
- Akomodim që lë për të dëshiruar
- Shërbim që lë për të dëshiruar
- Infrastrukturë që lë shumë për të dëshiruar
- Qytete pa transport publik
- Qytete që nuk menaxhojnë mbetjet, por i djegin në natyrë në mes të sezonit
- Rrugë të mbushura me mbeturina
- Ujëra të zeza që derdhen 100% në det
- Mungesë aktivitetesh jashtë plazhit
Atëherë, çfarë ua justifikon këto çmime, o njerëz?
Mësime që duhen nxjerrë:
Korca pati një bum vizitorësh gjatë pandemisë. Brenda një viti, të flije në Korçë kushtonte sa në Berlin. Vitin e fundit, Korça u braktis.
Jugu bregdetar, këtë verë, po përpëlitet për mbijetesë.
Një sugjerim:
Ulni çmimet në përputhje me atë që ofroni, ndryshe nuk do të jetë e largët dita kur të shkoni vetë të punoni kamarierë.
Qeveria të mos sillet si agjenci reklamash, por të prodhojë politika orientimi për turizmin. Për këtë punë ka një Ministri Turizmi, jo për videoklipe në rrjete sociale.






