Tender me “flamur të kuq” në OSHEE: kompania indiane fiton kontratën 1.17 miliardë lekë pa konkurrencë reale

INVESTIGIM / Publik.al

Një tjetër tender me indicie të forta për paracaktim dhe mungesë gare reale është zhvilluar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), kësaj here për mirëmbajtjen e sistemit CRM dhe Billing, një nga sistemet më kritike që lidhen drejtpërdrejt me faturimin e energjisë elektrike dhe të dhënat sensitive të qytetarëve shqiptarë.

Bëhet fjalë për procedurën me numër reference REF-68857-11-13-2025, me një fond limit prej 116,965,200 lekë të rinj pa TVSH, e cila është shënuar me “flamur të kuq” nga Open Procurement Albania për mungesë konkurrence.

Vetëm një ofertues, diferencë qesharake nga fondi limit

Në këtë procedurë ka marrë pjesë vetëm një ofertues, një Bashkim Operatorësh, ku rolin kryesor e mban kompania indiane Fluentgrid Limited. Oferta fituese është 114,625,896 lekë pa TVSH, vetëm rreth 2.3 milionë lekë më pak se fondi maksimal i parashikuar nga OSHEE.

Një diferencë minimale, e kombinuar me mungesën totale të konkurrentëve, ngre dyshime serioze se gara ka qenë vetëm formale dhe jo reale. Në praktikat normale të prokurimeve publike, veçanërisht për shërbime IT, konkurrenca sjell ulje të ndjeshme të çmimeve – gjë që në këtë rast nuk ka ndodhur.

Kriteret që “përjashtojnë” tregun

Zyrtarisht, OSHEE ka argumentuar se fituesi ka plotësuar kriteret teknike dhe ka qenë i vetmi ofertues. Por pikërisht ky fakt shton dyshimet se kriteret e tenderit mund të jenë ndërtuar në mënyrë selektive, duke favorizuar një subjekt të vetëm.

Duhet theksuar se bëhet fjalë për mirëmbajtjen e një sistemi ekzistues, çka krijon avantazh të qartë për operatorin që e njeh tashmë teknologjinë dhe arkitekturën e sistemit – një praktikë e njohur për të “mbyllur” garën ndaj operatorëve të tjerë potencialë.

Rreziku i varësisë teknologjike dhe i të dhënave sensitive

Tenderi merr një rëndësi edhe më të madhe për faktin se sistemi CRM dhe Billing përmban të dhëna personale dhe financiare të qindra mijëra abonentëve të energjisë elektrike. Kjo krijon një varësi të drejtpërdrejtë të OSHEE-së nga një kompani e huaj, pa pasur konkurrencë reale dhe pa transparencë të plotë mbi arsyet pse tregu u “shterua” që në nisje.

Sipas Open Procurement Albania, procedura është shënuar me flamur të kuq për këto arsye:

  • është paraqitur vetëm një ofertë;
  • nuk ka pasur rivalë në garë;
  • nuk ka pasur presion tregu për ulje çmimi.

Kush është Fluentgrid Limited?

Sipas të dhënave nga regjistrat e biznesit në Indi dhe burime publike, Fluentgrid Limited është një kompani private, jo e listuar në bursë. Aksionerët kryesorë janë të lidhur drejtpërdrejt me themeluesit dhe drejtuesit e saj, ku figura kyçe rezulton Vijaya Bhaskar Chaluvadi, i cili shfaqet njëkohësisht si administrator dhe aksioner kryesor.

Lidhja shqiptare: BNT Electronics dhe Jovan Bojdani

Në Bashkimin e Operatorëve shfaqet edhe Jovan Bojdani, administrator i kompanisë shqiptare BNT Electronics, një emër i njohur në prokurimet publike në Shqipëri.

BNT Electronics është një nga kompanitë më aktive në tenderat shtetërorë, veçanërisht në sektorin e teknologjisë, elektronikës dhe pajisjeve mjekësore. Sipas të dhënave publike, kompania ka fituar dhjetëra kontrata publike, mbi 45 kontrata vetëm në vitet e fundit, në nivel vendor dhe qendror.

Shuma totale e përfituar nga kontratat publike llogaritet në qindra milionë lekë. Vetëm nga Bashkia e Tiranës, BNT Electronics ka përfituar kontrata me vlerë mbi 237 milionë lekë.