Rrjolli nën rrethim policor për projektin “Blue Borgo”; përplasje mes banorëve dhe forcave të rendit

Banorët e zonës së Rrjollit në Velipojë vijojnë për ditën e pestë rezistencën kundër projektit turistik “Blue Borgo”, i cili pritet të zhvillohet nga biznesmeni Bashkim Ulaj, pas përfitimit të statusit “Investitor Strategjik”.

Sipas raportimeve të publikuara nga media “Pamfleti”, në terren janë dislokuar rreth 150 forca policie, përfshirë edhe efektivë të forcave speciale, me qëllim garantimin e rendit dhe mbarëvajtjes së punimeve. Në të njëjtën kohë, raportohet se forca të tjera janë në gatishmëri për ndërhyrje, ndërsa zona është kthyer në një pikë tensioni mes banorëve dhe autoriteteve.

Banorët pretendojnë se dokumentet kadastrale mbi të cilat mbështetet projekti janë të kontestuara dhe se toka prej rreth 147 hektarësh u përket familjeve të zonës. Ata deklarojnë se nuk do të tërhiqen nga protesta dhe se do të vijojnë të kundërshtojnë ndërtimin e resortit.

Nga ana tjetër, autoritetet shtetërore nuk kanë bërë publike deri më tani një qëndrim zyrtar mbi akuzat për falsifikim dokumentesh apo për përdorim të tepruar të forcës.

Projekti “Blue Borgo” ishte miratuar me statusin “Investitor Strategjik” përpara nisjes së kontestimeve publike. Në kuadër të këtij statusi, investitori përfiton lehtësi procedurale për zhvillimin e projektit, që përfshin ndërtime rezidenciale, struktura hotelerie dhe njësi tregtare.

Në raportimet e publikuara përmendet edhe emri i drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si drejtues i operacionit në terren. Sipas burimeve të cituara nga “Pamfleti”, forcat e rendit janë organizuar në turne të përhershme për të garantuar vijimin e punimeve.

Ndërkohë, disa analistë dhe aktivistë kanë kërkuar që Prokuroria e Posaçme të verifikojë pretendimet për shkelje ligjore në procedurat kadastrale dhe përdorimin e forcës policore.

Situata në Rrjoll mbetet e tensionuar, ndërsa pritet të shihet nëse do të ketë një reagim zyrtar nga qeveria, Policia e Shtetit apo vetë investitori lidhur me akuzat e ngritura në publik.

Publik.al do të vijojë ndjekjen e zhvillimeve në terren dhe verifikimin e dokumentacionit përkatës.