Publikohen vëtëm ato të bashkive
Tiranë|Publik.al
INSTAT ka publikuar të dhënat më të fundit për lejet e ndërtimit në vend gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025. Sipas raportit, janë miratuar 352 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, një rënie e lehtë prej 0,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur u miratuan 354 leje.
Megjithatë, rënia më e ndjeshme vërehet tek sipërfaqja totale e ndërtimit: vetëm 278.389 m², çka përbën një tkurrje drastike prej 67% krahasuar me vitin e kaluar (844.137 m²). Po ashtu, vlera e përafërt e projekteve është ulur me 45,5%, duke arritur në 18,4 miliardë lekë, kundrejt 33,7 miliardëve një vit më parë.
Durrësi në krye të lejeve të ndërtimit
Qarku i Durrësit mban peshën kryesore, me 156 leje ndërtimi të reja dhe një sipërfaqe prej 129.617 m². Rritje e vlerës së projekteve u vu re gjithashtu edhe në Korçë dhe Shkodër, duke treguar një zhvendosje të interesit ndërtimor edhe jashtë kryeqytetit.
Të dhënat “e cungura” të INSTAT
Vetë INSTAT pranon se statistikat nuk reflektojnë plotësisht realitetin. Aktualisht, raportimi bazohet vetëm mbi të dhënat e bashkive, të cilat janë autoritetet kryesore për dhënien e lejeve. Por, sipas VKM nr. 408, datë 13.5.2015, në procesin e miratimit përfshihen edhe institucione të tjera, përfshirë Këshillin Kombëtar të Territorit (KKT).
Për shkak të mungesës së një raportimi të standardizuar e të unifikuar nga të gjitha këto ente, shifrat e publikuara nuk mund të krahasohen në mënyrë të plotë me periudhat e ardhshme.
Lejet e mëdha, jashtë raportimeve
Një pjesë e madhe e projekteve të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit përfshirë qiellgërvishtësit në Tiranë dhe resortet turistike në bregdet, nuk pasqyrohen në të dhënat e INSTAT. Praktikisht, këto të dhëna mbeten “sekret” dhe vështirësojnë panoramën reale mbi ndërtimet në vend.
Në vitin 2024 vetëm në Tiranë u dhanë leje për një sipërfaqe rekord prej gati 2 milionë m², më i larti në historinë e kryeqytetit. Që nga viti 2018, vala e re e ndërtimeve ka sjellë mbi 10 milionë m² leje ndërtimi, duke përfshirë kulla shumëkatëshe dhe komplekse rezidenciale që ende nuk janë reflektuar tërësisht në terren.
Shifrat e INSTAT japin vetëm një pjesë të mozaikut. Ndërkohë që në statistika shfaqet një rënie e fortë e ndërtimit, realiteti urban është ndryshe: lejet e dhëna nga KKT për projekte madhore vazhdojnë të transformojnë fytyrën e qyteteve shqiptare.
Në mungesë të një transparence të plotë, tregu i ndërtimit mbetet një nga sektorët më pak të qartë, por njëkohësisht më fitimprurës, në ekonominë shqiptare.






