Pretenca e Prokurorisë Speciale në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u kërkuan në total 180 vite burg për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, ka sjellë reagimin e fortë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama shprehu habinë dhe pakënaqësinë e tij për arsyetimin e ndjekur nga organi i akuzës, duke theksuar se nuk arrin të kuptojë logjikën që ka çuar prokurorët drejt një kërkese kaq të rëndë dënimi.
Kreu i qeverisë shqiptare përdori një gjuhë të ashpër, duke e cilësuar pretencën e prokurorisë si të pajustifikuar dhe të vështirë për t’u përtypur, ndërsa nënvizoi se i duhet kohë për të reflektuar mbi atë që e konsideron një zhvillim tronditës në zemër të Europës demokratike.
Rama u shpreh se është kontaktuar nga miq në Prishtinë për të komentuar mbi situatën e ish-krerëve të UÇK-së, por shtoi se për momentin nuk gjen fjalët e duhura për të artikuluar një qëndrim të plotë, pikërisht për shkak të peshës dhe përmasave të kërkesës së prokurorisë. Ai e cilësoi procesin dhe pretencën si një ngarkesë të rëndë politike dhe morale, duke lënë të kuptohet se do të shprehet më gjerësisht pasi të reflektojë mbi zhvillimet e fundit.
“Më pyesin miq nga Prishtina pse nuk po shprehesh për mikun tënd që sot u ngarkua me 45 vjet burg në pretencën e prokurorisë së Hagës?! Nuk po shprehem dot, pasi ende po mundohem ta gjej ku buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me kërkesën për varrosje për së gjalli të katër burrave dhe si kurrë ndonjëherë, fjalët nuk më vijnë në ndihmë për t’u shprehur… Ndjesë, më duhet kohë ta gëlltis gjithë atë mal me m*t që nxorri sot ajo prokurori në zemër të Europës demokratike”, tha Rama.
Reagimi i Ramës vjen në një moment kur pretenca e Prokurorisë Speciale ka shkaktuar debat të gjerë politik dhe publik në Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa pritet që procesi gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së të hyjë në një fazë vendimtare në muajt në vijim.






